Shqipëri - Vazhdon numërimi i votave, kryeson PS

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezulton se Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) është në avantazh.

Shqipëri - Vazhdon numërimi i votave, kryeson PS

Në Shqipëri vazhdon procesi i numërimit të votave, nga grupet e numërimit në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, ku nga rezultatet paraprake Partia Socialiste e Shqipërisë është në avantazh. 

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga 35.64 për qind e votave të numëruara në rang vendi, ose 1911 qendra votimi nga 5362 në total, rezulton se Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), e drejtuar nga Kryeministri aktual, Edi Rama, që është edhe kandidati për Kryeministër i kësaj partie politike, është në avantazh me 49.46 për qind të votave.

Nga të dhënat paraprake, Partia Demokratike e Shqipërisë(PD), e drejtuar nga Lulzim Basha, që është edhe kandidati për Kryeministër i saj ka siguruar 28.38 për qind të votave, ndërsa Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) me kandidat për Kryeministër Petri Vasilin, që është edhe kreu i kësaj partie, 15.13 për qind të votave.

Ndërkohë procesi i numërimit të votova në të gjithë territorin e vendit do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës së sotme.

Kujtojmë se dje në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku morën pjesë 18 parti politike.

Qytetarët me të drejtë vote kanë votuar në 5.362 qendra votimi, për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë. Zgjedhjet parlamentare janë vëzhguar nga 5351 vëzhgues, nga të cilët 896 nga misionet vëzhguese ndërkombëtare. (AA)



Lajme të ngjashme