Zgjedhjet në Shqipëri-KQZ e angazhuar për një proces të pakontestueshëm

Zgjedhjet parlamentare do të vëzhgohen nga 5351, nga të cilët 896 janë nga misionet vëzhguese ndërkombëtare.

Zgjedhjet në Shqipëri-KQZ e angazhuar për një proces të pakontestueshëm

Një ditë para zgjedhjeve parlamentare, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, deklaroi se institucioni që ai drejton ka marrë të gjitha masat, për të realizuar një proces konform standardeve ndërkombëtare dhe të pakontestueshëm.

Zguri i thirrje subjekteve zgjedhore të respektojnë rigorozisht ligjin dhe të heqin dorë nga çdo aktivitet në funksion të fushatës, pasi procesi zgjedhor, tha ai, është më i rëndësishëm se çdo parti.

Në një deklaratë për shtyp, paraditen e sotme, Zguri njoftoi se KQZ ka përmbyllur gjithë punën përgatitore për ditën e votimit dhe është duke mbikëqyrur shpërndarjen e materialeve zgjedhore, nga KZAZ-të drejt qendrave të votimit.

Administrata zgjedhore, tha ai, është gati për të menaxhuar procesin dhe për t’i dhënë vendit një proces zgjedhor të pakontestueshëm për shkak të saj dhe me standarde të larta administrimi.

Kreu i KQZ-së, duke i garantuar mbështetjen e plotë komisionerëve të të gjitha niveleve, paralajmëroi se institucioni që ai drejton nuk do të tolerojë askënd që me veprimet apo mosveprimet e tij të cenojë ecurinë dhe përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor.

Komisioni ka vullnet të plotë për të ndëshkuar rreptësishtë çdo sjellje dhe veprim të komisionerëve apo numëruesve, në kundërshtim me detyrën dhe në dëm të mbarëvajtjes së procesit, i cili, tha Zguri, është më i rëndësishëm.

Më pas, kryetari i KQZ-së dha një informacion për zgjedhjet e së dielës, ku marrin pjesë 18 parti politike, që kanë te regjistruar 2666 kandidatë për deputetë. Të drejtën e votës e kanë 3 milion e 452 mijë e 260 shqiptarë, të cilët janë të regjistruar për të votuar në 5.362 qendra votimi.

Në listën e zgjedhësve përqindja e femrave është 49,49%, ndërkohë që kandidate femra janë 1.073 ose e thënë ndryshe 40,23%.

Zgjedhjet parlamentare do të vëzhgohen nga 5351, nga të cilët 896 janë nga misionet vëzhguese ndërkombëtare.



Lajme të ngjashme