Presidenti Nishani vlerësohet me çmimin “Qytetar Nderi” i Prizrenit

Komuna e Prizrenit, në një seancë solemne të mbajtur në objektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka ndarë çmimin “Qytetar Nderi” për Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani...

Presidenti Nishani vlerësohet me çmimin “Qytetar Nderi” i Prizrenit

Komuna e Prizrenit, në një seancë solemne të mbajtur në objektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka ndarë çmimin “Qytetar Nderi” për Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, tha se po nderojnë unifikuesin e vlerave kombëtare, Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Presidenti Nishani do të mbahet në memorien e popullit shqiptar si përfaqësues i institucioneve shqiptare të cilat kanë qenë dhe do të mbesin katalizatori i forcimit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Lobimi i shtetit shqiptar me në krye presidentin Bujar Nishani, te partnerët tanë ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ka ndikuar që sot Kosova të gëzoj njohje dhe partneritet të shteteve më të fuqishme në botë”, tha ai.

Kurse Presidenti Bujar Nishani tha se nuk ka emocion, ndjenjë humanizmi dhe vlerë njerëzore më të madhe sesa kur qytetarët dhe populli të vlerëson dhe nderon.

“Unë jam i nderuar, i privilegjuar, që përmes jush dhe qytetarëve të tjerë të Prizrenit, ta marrë dhe të përulem me nderim ndaj këtij vlerësimi që ju më bëtë. Isha i nderuar ta kryej vizitën e fundit shtetërore si President i Republikës së Shqipërisë, në prag të përfundimit të mandatit tim presidencial në Kosovë, atje ku edhe e nisa vizitën e parë shtetërore”, u shpreh Nishani.

Ai tha se Kosova është shtet ndoshta i ri në kontestin formalo-juridik, por mijëravjeçar në vlera, histori, kontribute, qytetërim dhe emancipim.



Lajme të ngjashme