Kosovë - Kuvendi voton mocionin e mosbesimit

Kuvendi i Kosovës miratoi me 78 vota pro mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

729671
Kosovë - Kuvendi voton mocionin e mosbesimit

Kuvendi i Kosovës miratoi me 78 vota pro mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Në seancën e sotme me replika e përplasje të forta edhe mes partnerëve kryesorë të koalicionit të dy partive më të mëdha nuk kishte vota të mjaftueshme për “mbrojtjen” e qeverisë së udhëhequr nga LDK nga mocioni i mosbesimit të opozitës, të përkrahur me vota edhe nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK.

Qeveria e kryeministrit Isa Mustafa u rrëzua me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 vota kundër dhe 3 abstenime, ndërsa në sallë ishin 115 deputetë të parlamentit, prej 120 anëtarësh.

Gjatë diskutimeve deputetët e opozitës argumentuan kërkesën për rrëzimin e qeverisë, me mospërmbushjen e vendimmarrjeve të rëndësishme për vendin, si marrëveshja e nënshkruar me Serbinë për Asociacionin, Demarkacioni me Malin e Zi, mosfunksionimi i Kuvendit dhe Qeverisë, ngecja në liberalizim, kapja e sistemit të drejtësisë, etj.

Ndërkohë, seanca u shoqërua me replika të forta edhe mes deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, dy partive aleate të koalicionit qeverisës.

Në nisje të seancës, deputetja e NISMA-s, Valdete Bajrami i ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit të votojnë mocionin e iniciuar nga partia e saj.

“Ne jemi të bindur se vendi ynë ka nevojë për një qasje të re qeverisje, për shkak te keqqeverisjes dhe mungesës së vendimmarrjes”, theksoi Bajrami.

Ajo u shpreh se kësaj qeverie  duhet t’i ndërpritet mandati për këto arsye: marrëveshja e nënshkruar me Serbinë për Asociacionin, Demarkacioni me Malin e Zi, mosfunksionimi i Kuvendit dhe Qeverisë, ngecja në liberalizim, kapja e sistemit të drejtësisë.

Sipas Bajramit, kjo qeveri nuk ka qenë e  aftë të marrë vendime për të mirën e qytetarëve.

Ndërkohë, në fjalën e tij Kryeministri Isa Mustafa, theksoi se mocioni është një tendencë që dëmet e krijuara nga qeveritë paraardhese t’i adresohen kësaj qeverie.

Duke e cilësuar mocionin si “një pamflet politik që nuk ka asnjë bazë”, Mustafa tha se mocioni dhe nënshkrimi i tij nga deputetët është një lojë politike dhe ka si qëllim fshehjen e adresave të përgjegjësve për aferat korruptive dhe dëmet shumëmilionëshe të parave publike që i janë shkaktuar këtij vendi”.

Sipas Mustafës, sukseset e qeverisë nën udhëheqjen e tij ishin të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Ne jemi vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, jemi vendi me policinë më të mirë në rajon dhe sukseset më të mëdha në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe në luftën kundër drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe në menaxhimin e suksesshëm te migrimit”, tha Mustafa.

Kreu i qeverisë u shpreh se gjatë këtyre dy viteve jemi anëtarësuar në shumë organizata kulturore dhe sportive, ndërkombëtare, kemi pesë njohje të reja të shtetit tonë kemi fituar kodin telefonik shtetëror për herë të parë, kemi krijuar kushtet që ligjet e Kosovës të aplikohen në të gjithë territorin e Kosovës”.

Lidhur me kontratën e “Z mobile” me PTK-në, Mustafa tha se “pasojat e kësaj kontrate janë të njohura, kjo çështje i takon drejtësisë dhe inkurajoj drejtësinë që përgjegjësit t’i vërë përpara ligjit”.

Zenun Pajaziti shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se këto javët e fundit kishte disa përpjekje të PDK-së që të bashkëbisedojë me LDK-në për problemet dhe proceset aktuale.

Ai ftoi deputetët e PDK-së që të votojnë unanimisht, siç tha ai, “për vullnetin që e shprehin edhe qytetarët e Kosovës”.

Sipas tij, Isa Mustafa në prezantimin e tij, ishte i njëanshëm, pasi shumë arritje, siç tha ai, janë përparime të arritura në vazhdimësi.

Krahas 30 nënshkrimeve nga deputetët e tri partive opozitare, mocioni është mbështetur edhe nga 8 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe 4 deputetë tjerë, kryesisht të pavarur.

Në Kuvendin e Kosovës aktualisht Partia Demokratike e Kosovës ka 36 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 33, Lëvizja Vetëvendosje 16, Lista Serbe 11, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8, Gjashtë Plus (i komuniteteve pakicë) 6, Nisma për Kosovën 6, ndërsa pa grup parlamentar janë 4 deputetë.

Opozita synon të sigurojë 61 vota në Kuvend, të nevojshme për rrëzimin e qeverisë.

Nëse mocioni i mosbesimit merr 61 vota, atëherë çështja kalon në dorën e Presidentit të Kosovës që të vendosë nëse do të shpërndajë Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo t’i jap besimin një mandatari të ri për formimin e një qeverie të re. Ndërsa nëse opozita dështon t’i sigurojë 61 vota për rrëzimin e qeverisë, atëherë nuk mund të ngrihet mocion i ri brenda 90 ditëve të ardhshme.

Partia Demokratike në koalicionin qeverisës nuk ka marrë ende një qëndrim për çështjen e mocionit të (mos)besimit për qeverinë, që e kanë ngritur partitë në opozitë.

Kryesia e PDK-së të mërkurën u mblodh për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm për qeverisjen aktuale me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme janë përmendur si opsion për të nxjerrë vendin nga bllokimi i vendimmarrjes edhe nga deputetë dhe zyrtarë të partive në pushtet.

Koalicioni aktual po përballet me probleme serioze në vendimmarrje për çështje të rëndësisë së veçantë, siç është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, me çka është bllokuar procesi i liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian këto ditë kanë inkurajuar krerët e institucioneve si dhe Kuvendin dhe qeverinë e Kosovës, që të ratifikojnë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke mos i dhënë mbështetje mocionit, i cili besohet se përveç rrëzimit të qeverisë, do ta dërgonte vendin në zgjedhje.



Lajme të ngjashme