Qeveria e Kosovës shtyn vendimin për demarkacionin me Malin e Zi

Qeveria e Kosovës shtyu sot vendimin për përcjelljen në kuvend të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Qeveria e Kosovës shtyn vendimin për demarkacionin me Malin e Zi

Zëdhënësi i qeverisë Arban Abrashi, tha për Zërin se ratifikimi i demarkacionit u shty për ditën e mërkurë.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë pikë e parë e rendit të ditës pritej të ishte shqyrtimi i projekligjit për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ky projektligj, ishte në agjendën e Kuvendit të Kosovës në seancën e 1 shtatorit 2016, por u tërhoq nga qeveria pasi opozita e kundërshtonte edhe me protesta.

Tre partitë opozitare, madje edhe disa deputetë nga maxhoranca, kanë paralajmëruar votim kundër edhe për riprocedimin në Kuvend dhe sipas disa deklaratave mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi në votimin në seancën që pritet të thirret të hënën Kosovën e çon në zgjedhje të parakohshme.

Po ashtu, në zgjedhje të parakohshme mund të çojë një seancë tjetër e jashtëzakonshme e Kuvendit për mbajtjen e së cilës të mërkurën e kësaj jave u vendos në 5 maj në mbledhjen e thirrur urgjent të Kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare.

Kjo seancë do të zhvillohet për mocion të mosbesimit për qeverinë e Kosovës, pas kërkesës me 42 nënshkrime, të partive të opozitës, Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Duhen së paku 61 vota të parlamentit me 120 anëtarë për t’u rrëzuar qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të mëdha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogla dhe minoritetet, e cila është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituar gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, të cilat ishin të pestat në liri, të dytat në pavarësi.



Lajme të ngjashme