Shqipëri – Më 19 prill votimi i parë në Kuvend për zgjedhjet e presidentit të ri

Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare ra dakord me konsensus që data 19 prill, ora 18:00, të jetë seanca e parë kur do të votohen në Kuvend kandidaturat për presidentin e ri të Shqipërisë...

Shqipëri – Më 19 prill votimi i parë në Kuvend për zgjedhjet e presidentit të ri

Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare është mbledhur paraditen e së enjtes për të zyrtarizuar nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të mbledhjes u ra dakord me konsensus që data 19 prill, ora 18:00, të jetë seanca e parë kur do të votohen në Kuvend kandidaturat për presidentin e ri të Shqipërisë. Kjo u bë ditur nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në fillim të seancës plenare të së enjtes.

Rregullorja parlamentare (neni 109) përcakton se presidenti zgjidhet në përputhje me nenet 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës së Shqipërisë, me votim të fshehtë nga 140 deputetë dhe pa debat.

Kandidatët për president duhet të sigurojnë 3/5 e votave për t’u zgjedhur që në raundin e parë të votimit. Në rast se shumica e nevojshme nuk sigurohet në raundin e parë, e njëjta përqindje votash kërkohet gjithashtu në raundin e dytë dhe, nëse nevojitet, në të tretin.

Ndërsa kur 3/5 e votave nuk sigurohen në të tria raundet e para të votimit për zgjedhjen e presidentit, organizohet një raund i katërt dhe, nëse paraqitet nevoja, një raund i pestë votimi, ku për t’u zgjedhur mjafton një më shumë se 50% e votave të deputetëve.

Konferenca e Kryetarëve cakton datën e kryerjes së votimit për çdo raund votimi të përcaktuar në Kushtetutë.

Sekretariati për Procedurat dhe Votimet është njëherësh edhe Komisioni i Votimit, i cili në këtë rast organizon dhe shpall publikisht rezultatin e votimit.

Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve shqyrton nëse kandidatët për president i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe i paraqet raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve.

Asnjë figurë politike shqiptare nuk ka paraqitur deri më sot kandidaturën për president, gjë që kërkon mbështetje nga të paktën 20 deputetë.

Mandati 5-vjeçar i Presidentit aktual, Bujar Nishani, përfundon më datë 24 korrik 2017. Por, duke qenë se Kuvendi i Shqipërisë do të shpërndahet në maj, si procedurë e domosdoshme përpara zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 18 qershor, votimi për zgjedhjen e presidentit të ri u vendos të bëhet në një datë të mëhershme.



Lajme të ngjashme