Francë – Sot seanca ndaj Ramush Haradinajt
Gjykata e Kolmarit në Francë do të mblidhet sërish sot (6 prill) për të shqyrtuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj...

Gjykata e Kolmarit në Francë do të mblidhet sërish sot (6 prill) për të shqyrtuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Kjo seancë besohet të jetë seanca përfundimtare, pasi prokuroria franceze ka njoftuar se i ka marrë të gjitha dëshmitë që mund të ketë ofruar Serbia, me urdhër të së cilës është ndaluar ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit.
Më datë 2 mars, Gjykata e Kolmarit shtyu për në 6 prill seancën gjyqësore ndaj ish-kryeministrit dhe njëkohësisht kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Pas daljes nga seanca gjyqësore, Haradinaj tha në një prononcim për mediat se “vendimi është absurditeti i radhës dhe po vërtetohet që jam peng politik”.
Kreu i AAK-së ndodhet aktualisht në Francë, në lirim me kusht, mbi bazën e një procesi që po zhvillohet ndaj tij nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Haradinaj u ndalua nga autoritetet franceze më 4 janar, në aeroportin e Bazelit.