Shqipëri – Opozita paralajmëron përshkallëzim të protestës

Në fjalën që mbajti në çadrën e ngritur në Tiranë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi përshkallëzim të mëtejshëm të protestës në rast të mos krijimit të një qeverie teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira.

Shqipëri – Opozita paralajmëron përshkallëzim të protestës

Opozita do të përshkallëzojë më tej protestën e nisur të shtunën e datës 18 shkurt. Kreu i opozitës, Lulzim Basha paralajmëroi të enjten në mbrëmje qëndrimin e forcës që ai drejton, nëse nuk krijohet qeveria teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Basha tha se nëse refuzohet kërkesat e demokratëve, opozita do bllokojë funksionimin e shtetit me mjete ligjore.

“Do përshkallëzojmë protestën deri në krijimin e qeverisë teknike që do sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme. Do bllokojmë vendin e shtetin me rrugë ligjore e demokratike”, u shpreh Basha për emisionin “Opinion” nga çadra e protestuesve të PD.

Nga kjo betejë nuk ka kthim pas, deklaroi Basha, duke shtuar se dalja nga kjo strategji është ajo e fitores së kauzës.

“Unë do të qëndroj këtu deri në fitoren e kauzës së qytetarëve, deri në largimin e kësaj qeverie dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha ai.

Sipas Bashës kjo që po ndodh sot nuk është miting politik, po është ngritja e popullit për ti thënë jo krimit dhe bandave.

“Ne vijmë si një parti e rinovuar në vendimmarrje dhe në lidership, ka me dhjetëra të rinj dhe të reja të cilët kanë studiuar këtu dhe në vendet perëndimore, e vijnë në PD për të dhënë idetë e tyre”, nënvizoi kryedemokrati Basha.

Më tej, Basha ripërsëriti qëndrimin e tij se Vettingu do të votohet nga PD, pasi të krijohet qeveria teknike. “PD do ta votoj Vettingun më krijimin e qeverisë teknike dhe mbajtjen e premtimit të mazhorancës për 7 ligjet konsensuale për paketën në drejtësi”, është shprehur Basha.

I pyetur se ku do të kandidoj për deputet në zgjedhjet e qershorit,  Basha është shprehur se ka marrë propozime nga demokratët për shumë qytete, por që kjo do të vendoset kur të jetë koha. “Kam marrë sygjerime nga demokratë dhe qytetarë për të kandiduar në vendin tim të lindjes në Tiranë, po ashtu në Elbasan etj, por kjo do të vendoset kur të jetë koha”, sqaroi Basha.



Lajme të ngjashme