Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi kërkojnë takim me administratën amerikane Trump

Forcimi i paqes dhe stabilitetit, prioritet i Kroacisë dhe Shqipërisë.

Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi kërkojnë takim me administratën amerikane Trump

Ministri kroat i punëve të jashtme dhe çështje evropiane, Davor Ivo Stier ka pritur homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, i cili qëndron për vizitë dyditore në Kroaci. Të dy ministrat theksuan se qëllimi i tyre i përbashkët është forcimi i stabilitetit në rajon përmes afrimit të shteteve drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s.

Qëndrimi i dy ministrave është se aleanca mes dy vendeve është me rëndësi strategjike dhe paralajmëruan se në të ardhmen e shpejtë do të nënshkruajnë marrëveshje për partneritet strategjik, qëllimi i së cilës është stabiliteti në Evropën Juglindore.

Në takimin ministror  u dakordua edhe implementimi i marrëveshjes për partneritet evropian mes Kroacisë dhe Shqipërisë. “Kroacia i jep mbështetje të plotë Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Stier.

Ndërsa minstri Bushati tha: “Sigurisht se zhvillimet e ndryshme të situatave në kontekstin evropian dhe botëror do të kenë ndikim në rajonin tonë. Megjithatë, ajo që mbetet e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kroacisë përmes partneritetit strategjik është që sa më shumë të bashkëpunohet në mënyrë që sa më shumë dhe sa më parë të afrohet momenti i anëtarësimit të të gjitha shteteve të rajonit në BE dhe NATO".

Ai vuri në dukje se Shqipëria dhe Kroacia japin kontribut ndaj stabilitetit të rajonit përmes luftës kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të dhunshme ideologjike.

Forcimi i stabilitetit dhe demokratizimi i shteteve të rajonit për përmirësimin e perspektivës për hyrjen e këtyre shteteve në Bashkimin Evropian është qëllimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Kroacisë, u shpreh Bushati.

Ai falënderoi autoritetet kroate për angazhimin që bëjnë lidhur me statusin e pakicës shqiptare në Kroaci. Shqipëria sot hap konsullatën në Varazhdin. Kroacia dhe Shqipëria, të cilat janë anëtare të NATO-s, sivjet shënojnë 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Nga ana tjetër, tre ministrat e jashtëm të rajonit, ai i Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi i kërkojnë administratës së re amerikane një takim të përbashkët me administratën e Trumpit.

Të tre ministrat, Ditmir Bushati, Davor Ivo Stier dhe Sërgjan Darmanoviç janë mbledhur në një takim në Kroaci, ku njëzëri kërkojnë takim me sekretarin amerikan të shtetit, Rex Tilerson. 

Qëllimi i kësaj kërkese janë sfidat e sigurisë, marëdhënia me Rusinë, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO si dhe situata në rajonin e Ballkanit.

Gjithashtu të tre minisitrat  ranë dakord në Split për të bashkëpunuar në ndërtimin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian dhe projekte të tjera rajonale me mbështetjen e BE-së.

Takimi trepalësh u fokusua edhe në zgjerimin e dialogut politik mes vendeve, diskutimin mbi bashkëpunimin në fushën sigurisë, ekonomisë, infrastrukturës, transportit, mjedisit, turizimit dhe energjisë. 

Sa i takon sigurisë, në fokus të takimit ishte lufta ndaj kërcënimit terrorist. Ministri shqiptar, Bushati vlerësoi bashkëpunimin tashmë të konsoliduar në këtë format trepalësh dhe riafirmoi qëndrimin dhe rolin e Shqipërisë në funksion të forcimit të bashkëpunimit rajonal. 

Tre ministrat ranë dakord për konsultime të ngushta dhe qasje të përbashkët në përgatitje të samitit të ardhshëm të NATO-s në Bruksel. Takimi tjetër i këtij formati trepalësh do të mbahet në Durrës.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme