EULEX-i, mbështetje Kosovës në konsolidimin e sundimit të ligjit

Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, gjatë një takimi të enjten me shefen e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, bisedoi për bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it...

EULEX-i, mbështetje Kosovës në konsolidimin e sundimit të ligjit

Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, gjatë një takimi të enjten me shefen e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, bisedoi për bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, me theks të veçantë mbi rolin e EULEX-it për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.

Ministrja Tahiri e njohu shefen e EULEX, Papadopoulou me progresin në Kosovë dhe fokusimin e qeverisë në avancimin e gjithanshëm të reformave, duke shprehur përkushtimin për fushat e sundimit të ligjit dhe drejtësisë në dobi të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministrja Tahiri dhe shefja e EULEX-it biseduan gjithashtu për vazhdimin e bashkëpunimit dhe avancimin e proceseve integruese evropiane. Ministrja Tahiri falënderoi EULEX-in për kontributin që po jep për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit gjatë këtyre viteve.

Duke vlerësuar progresin në Kosovë, shefja e EULEX, Papadopoulou, shprehu përkrahjen dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme që lidhen me mandatin e EULEX-it, duke u përkushtuar në konsolidimin e mëtejshëm të sundimit të së drejtës në Kosovë.

Shefja e Misionit tha se EULEX-i është i gatshëm që ta ndihmojë dhe mbështesë Kosovën në përballimin e mëtejshëm të sfidave ekzistuese në kuadër të sundimit të ligjit përgjatë rrugëtimit të saj drejt integrimit evropian, veçanërisht sa i takon ndërtimit të një gjyqësori të pavarur.

Në takim morën pjesë Zyrtarja ndërlidhëse me shefen e Misionit, Elaine A.Paplos dhe Katia Domenik gjyqtarë në EULEX dhe Arjeta Rexhaj këshilltare politike nga kabineti i Ministres.



Lajme të ngjashme