Policia e Kosovës: Të gjitha veprimet kanë qenë konform kushtetutës dhe ligjeve

Policia e Kosovës sot mbajti një konferencë për media ku foli për veprimet policore të realizuara dje në Jarinje të Mitrovicës.

Policia e Kosovës: Të gjitha veprimet kanë qenë konform kushtetutës dhe ligjeve

Policia e Kosovës sot mbajti një konferencë për media ku foli për veprimet policore të realizuara dje në Jarinje të Mitrovicës, me rastin e prezantimit të linjës hekurudhore nga e ashtuquajtura Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovë.

Gjatë fjalimit të tij, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë për Operativë të Kosovës, Naim Rexha tha se Policia e Kosovës është një institucion i zbatimit të ligjit, i cili të gjitha veprimet e saj i ndërmerr konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi për ta garantuar rendin, sigurinë e përgjithshme dhe në rastin konkret për ta parandaluar qarkullimin e trenit ilegal për në territorin e Kosovës.

“Policia e Kosovës ka pasur informacione paraprake lidhur me paralajmërimet e qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës me datën 14.10.2017, dhe për këtë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operacionale policore, konform autorizimeve ligjore që ka”, deklaroi Rexha.

Ndërkaq rreth deklarimeve, publikimeve të informaiconeve të ndryshme në portale dhe mediume serbe, duke përfshirë edhe video-incizime të publikuara se është vendosur mjet shpërthyes në hekurudhë, Rexha tha: “Demantojmë fuqishëm që në asnjë variant kinse qytetarët e Kosovës ose zyrtarët e Policisë kanë ndërmarrë ndonjë veprim që ka të bëjë me përgatitjet për ndonjë dëmtim të hekurudhës siç është paraqitur nëpër mediat serbe është i pavërtetë, i pabazë dhe nuk qëndron. Përkundrazi ne kemi zhvilluar një operacion mjaft kompleks të kontrollimit të tërë gjatësisë përafërsisht 50 kilometra të binarëve të hekurudhës në operacionin tonë policor”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Rexha theksoi se "Policia e Kosovës ka patur një kërkesë për mbështetje të institucionit përgjegjës për hekurudhat e Kosovës, në detyrën e ndalimit të qarkullimit të një trenit të palicencuar nëpër hekurudhat e RKS-së". Ai shtoi se operacioni për këtë ka ngelur në pikën ku ka ngelur edhe treni, për faktin që treni nuk ka hyrë në Republikën e Kosovës.

Rexha po ashtu shtoi se nuk ka patur asnjë bllokadë askund në rrugët qarkulluese të Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ndërkaq ai nuk dha shifra konkrete për numrin e njësive policore që morën pjesë në aksionin e djeshëm, ku thekoi se kanë numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë në realizim të detyrave. Ai po ashtu shtoi që janë profesionalisht të përgatitur, duke poseduar të gjitha mjetet të shkallës së lartë bashkëkohore për organizatat policore.

"Kurdoherë dhe kurdoqoftë dhe çdo gjë që është përbrenda autorizimeve policore dhe mandatit të Policisë së Kosovës jemi të gatshëm të veprojmë", tha Rexha.

Kurse sa i përket thënieve se në aksionin e djeshëm ka patur edhe pjesëtarë të KFOR-it, Rexha tha: “Ne jemi përgjegjës për sigurinë e qytetarëve tanë, ne jemi përgjegjës për territorin e Republikës së Kosovës dhe ne përpiqemi maksimalisht ta përmbushim përgjegjësinë tonë. Kjo nuk do të thotë që në rrethana të ndryshme nuk do të bashkëpunojmë edhe operacionalisht me bashkëpunuesin e dytë dhe të tretë por rasti i djeshëm nuk ka qenë i tillë”.

Së fundmi Rexha bëri të ditur se Policia e Kosovës e ka mandatin e mbikëqyrjes së kufirit të RKS-së dhe shtoi që bërthama fillestare e angazhimit të djeshëm ka qenë kjo.

Ndryshe, dje me rastin e prezantimit të linjës hekurudhore Beograd – Mitrovicë nga e ashtuquajtura Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovë, është nisur treni nga Beogradi për në Mitrovicë. Me këtë rast afër vendkalimit kufitar Jarinjë ka patur përforcim nga forcat e Policisë së Kosovës dhe njësitet speciale ROSU.

Pasi që treni i cili u ndalua në Rashkë, e cila ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit Kosovë-Serbi në Jarinë u kthye përsëri në Beograd. Pas kësaj filloi edhe tërheqja e pjesëtarëve të forcave kosovare të sigurisë. Linja e rregullt e trenit në relacionin Beograd – Mitrovica e Kosovës nuk qarkullon nga viti 1999. (AA)



Lajme të ngjashme