Mustafa: Demarkacioni detyrim përfundimtar për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në SHBA, u takua me Zv/Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.

Mustafa: Demarkacioni detyrim përfundimtar për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në SHBA, u takua me Zv/Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë takimit Mustafa ka njoftuar Nuland me progresin e arritur në Kosovë dhe rreth zhvillimeve të fundit drejt procesit integruese-euroatlantike, fuqizimit të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar. Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e deritashme të SHBA-ve për Kosovën, duke theksuar përkushtimin e qeverisë për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale mes këtyre dy vendeve.

Zv/Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Nuland, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe shprehu përkrahjen e shtetit të saj për Kosovën.

Kryeministri Mustafa në selinë e Kombeve të Bashkuara, takoi edhe Ministren e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Maria Angela Cuellar, prej së cilës kërkoi përkrahje për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ndërkaq, Mustafa mori pjesë në pritjet e organizuara nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka takuar përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, dhe ka kërkuar përkrahjen e tyre për Kosovën.

Në një deklaratë për media, Mustafa foli rreth agjendës së takimeve të tij në Nju-Jork, duke u shprehur se këtu është përqendruar në forcimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës, njohjen e vendit nga më shumë shtete se sa që e kanë njohur deri më tani, krijimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet tjera dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndërsa, lidhur me çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, Kryeministri Mustafa u shpreh se “Ne duhet t’i përmbushim detyrimet të cilat i kemi dhe detyrimi përfundimtar që tani ka mbetur për tu përmbushur është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi . Është një çështje e cila është e patejkalueshme sa i përket përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Por, mund t’ju them se kjo çështje nuk është diskutuar vetëm nga ata, kjo çështje na është shtruar gati në të gjitha takimet që i kemi pas”. (AA)



Lajme të ngjashme