Reagimet shqiptare ndaj tentativës së dështuar të grushtit të shtetit në Turqi

Përveç reagimeve nga autoritetet e larta të shtetit shqiptar për tentativën e dështuar të grushtit të shtetit në Turqi, reagime kanë ardhur edhe nga personalitete të medias dhe shtypit në Shqipëri.

Reagimet shqiptare ndaj tentativës së dështuar të grushtit të shtetit në Turqi

“Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Z. Hydajet Bajraktar pas reagimeve zyrtare të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, të cilët kanë dënuar më forcë tentativën  për grusht shteti në Turqi ka shprehur falënderimet e tij që vendet mike (që ndër bën pjesë edhe Shqipëria), të cilat duke filluar që nga nata e 15 korrikut  kanë reaguar në kohë reale ndaj këtij grushti shteti, duke dërguar mesazhe solidarizimi dhe mbështetëse për Turqinë, si dhe kanë telefonuar udhëheqësit tanë qeveritarë për t’u shprehur mbështetjen e tyre. Puçistët nuk kanë gjetur mbështetje nga ndërkombëtarët. Gjithashtu janë marrë mesazhe, deklarata dhe telefonata kuptimplota solidarizimi me Turqinë nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare përfshirë dhe Shqipërinë. Falënderojmë autoritet shqiptare, por edhe qytetarët shqiptarë që kanë reaguar në rrjetet sociale  për mbështetjen e dhënë ndaj qeverisë tonë”,- është shprehur në një deklaratë mediatike Ambasadori Bajraktar.

Vlen të përmendet se politika shqiptare ka reaguar menjëherë në lidhje me zhvillimet në Turqi  pas përpjekjes së një grupi ushtarak për të marrë  pushtetin më dhunë dhe terror në Turqi.

Në një njoftim të Presidencës thuhet se “Presidenti i dënon me forcë këto akte dhe tentativa për marrjen e pushtetit përmes dhunës dhe shpreh mbështetjen e plotë për Presidentin Erdogan, qeverinë dhe rendin kushtetues në Turqi…”

Ndërsa Kryeministri shqiptar, Edi Rama është shprehur:”…  i lumtur për mikun e çmuar Erdogan duke shtuar se Turqia doli me sukses nga një natë e vështirë…”
Nga ana tjetër rreth reagimeve mediatike shqiptare, edhe njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare, Fabian Zhilla dhe Kreshnik Osmani, mendojnë se një nga arsyet e kësaj tentative të dështuar puçiste në Turqi ka qenë edhe vëmendja më e madhe e shtetit turk në arenën ndërkombëtare. Në ketë mënyrë struktura paralele terroriste në ushtri shfrytëzuan terrenin për të ngritur krye.

“Ushtria turke në përgjithësi ka pasur privilegje të jashtëzakonshme në krahasim me popullin. Një nga detyrat e para që bëri Erdogani me ardhjen e tij në pushtet, qysh në mandatin e tij të parë ka qenë minimizimi i kësaj force, për ta kthyer ushtrinë në funksion të shtetit dhe mbrojtjes së tij dhe jo në një linjë holigarkike, mendoj se ky ka qenë një nga arsyet kryesore që ky segment i ushtarakve që rebeluan nuk e gjeti veten apo mund të thuhet se iu cenua interesi dhe rebeloi…”,- tha Zhilla.

 - Çfarë vjen pas tentativës së një fraksioni të ushtrisë për të rrëzuar me dhunë qeverinë dhe institucionet demokratike?

Sipas analistëve Osmani dhe Zhilla, kjo ngjarje do te sjellë një reagim edhe më të fortë të Presidentit Erdogan ndaj atyre që cenojnë unitetin dhe Kushtetutën demokratike të Turqisë...

Mendoj se në pozitat që ndodhet aktualisht Presidenti Erdogan i japin atij sigurisht të drejtën që të jetë i qetë dhe të kuptojë se ka mbështetjen e gjerë popullore, të kuptojë se popullin e ka nga pas, të kuptojë gjithashtu se institucionet më të rëndësishme të shtetit dhe pjesën më të madhe të vetë ushtrisë e ka nga pas…”,- shprehet Osmani.

Kam idenë se Erdogani do të fokusohet më së shumti në politikën e brendshme. Dhe besoj se ky është një sinjal pozitiv se ai rikthehet për të konsoliduar pozitat e shtetit turk, duke e parë atë nga brenda dhe jo duke e parë atë si shtet jashtë Turqisë…Pra, duke u nisur më tepër në peshën strategjike brenda vetes; konsolidimin e shtetit, duke e rikonsideruar edhe një herë forca të cilat mund të rrezikojnë shtetin kushtetues në Turqi…”,- thotë Zhilla.

Analistët ndajnë të njëjtin mendim sa i takon ndikimit të këtyre zhvillimeve në rajon dhe më gjerë. Fabian Zhilla dhe Kreshnik Osmani thonë se një destabilizim i mundshëm nuk është në të mirë të askujt, sepse Turqia është barriera e parë penguese e organizatës terroriste DAESH. Një vend i përfshirë nga kaosi do ta bënte më të lehte depërtimin e ekstremistëve dhe terroristëve në Europë.

Ndërsa një gazetar dhe analist tjetër i mirënjohur shqiptar, Vladimir Lame në një intervistë radiofonike për Radio Jehona në lidhje me zhvillimet e fundit në Turqi ai shprehet:

Në fakt ndryshe nga herë të tjera që kanë ndodhur grushte shteti në Turqi duhet të përmendim se kjo tashmë është kthyer në një traditë në ushtrinë turke, e cila nga elemente brenda saj gjejnë rastin herë pas here për tu shfaqur me grushte shteti. Ky grusht shteti u zhvillua në një atmosfere të ndryshëm nga të më mëparshmit, sepse kishim të bëjmë me një situatë, ku Turqi është e përfshirë në nja aleancë kundër terrorizmit, dhe pasi ishte prekur  nga sulme terroriste, si ai i fundit, në aeroportin e Stambollit. Pra, ishte një situatë e cila nuk mund të zinte vend për grusht shteti dhe në të njëjtën kohë i papërshtatshëm, gjë e cila dështoi për pak orë…“,- thotë Lame.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben Halluni -



Lajme të ngjashme