Vokrri: Futbolli turk ka ndihmuar shumë për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA

Vokrri Federatën Turke të Futbollit (TFF) gjithmonë e ka llogaritur si një ndër federatat mike më të mëdha dhe kjo është konfirmuar në çdo takim.

Vokrri: Futbolli turk ka ndihmuar shumë për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA

Shumë beteja në fushën e gjelbër, skuadrat e Prishtinës, Partizanit të Beogradit dhe Fenerbahçes, madje edhe reprezentacionit të Jugosllavisë së dikurshme i kanë fituar me golat dhe lojërat e shkëlqyeshme të “9-shit” të famshëm, Fadil Vokrrit.

Gjatë viteve 1990-92, ai luajti në Turqi, për njërën nga skuadrat më të mëdha turke, Fenerbahçen, ku punoi nën udhëheqjen e trajnerit të famshëm holandez, Guus Hiddink, trajnerit aktual të Chelsea-t. Gjatë asaj periudhe, Vokrri luajti së bashku me legjendat e futbollit turk si kapiteni Oguz, Ridvan, Tanju, Mujdat, Turhan dhe portieri Engin, duke shënuar 13 gola në 43 ndeshje.

Pas largimit nga Feneri, ai luajti në Francë në skuadrat Bourge dhe Montluçon, një qytezë në Francën qendrore pranë lumit Cher, ku sot e kësaj dite, një pjesë e familjes së tij jeton. Në Montluçon, pasi u përshëndet nga futbolli aktiv, Vokrri tregon se në fillim ishte trajner edhe lojtar, për një periudhë një vjeçare, pastaj edhe drejtor gjeneral i klubit për 5 vite dhe në fund, sërish trajner për 3 vite rresht.

Në vitin 2003, pas përfundimit të luftës në Kosovë, vendosi të kthehet në Prishtinë, në klubin me të cilin u rrit si futbollist dhe me të cilin arritën sukseset më të mëdha të futbollit kosovar. Së bashku me shokët e tij të dikurshëm të skuadrës, tash si drejtori klubit, Vokrri ndihmoi klubin e tij që të nis zhvillimin e duhur, pas izolimit shumë vjeçar të futbollit kosovar.

Ndërkohë, me insistimin e njerëzve të futbollit kosovar, në vitin 2008 u kandidua për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës. Saktësisht më 16 shkurt 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Vokrrit i jepet përgjegjësia që ta udhëheq Futbollin e Kosovës, detyrë kjo të cilën e bën edhe sot e kësaj dite.

- Çastet e paharruara: golat kundër Guimaraes dhe Galatasaray-it

Tash 56 vjeçar, “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe aktualisht kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës po e lufton njërën nga betejat më të rëndësishme në jetën e tij- pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Një ditë para mbajtjes së Kongresit të UEFA-s në Budapest ku do të shqyrtohet pranimi i Kosovës në familjen evropiane të futbollit, Vokrri tha se vitet e kaluara në Stamboll, në fanellën “verdh e kaltër e mbylltë” ishin të paharrueshme, duke krijuar miqësi që sot e kësaj dite vazhdojnë, ndërsa Fenerbahçen e konsideron si një ndër institucionet më të mëdha të futbollit evropian.

- Futbolli turk dhe Erzik kanë bërë shumë për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA

Që nga viti 1991 dhe shpërbërja e shtetit të dikurshëm të Jugosllavisë, Kosova ka mbetur shteti i vetëm që nuk e ka të pranuar futbollin e saj në familjen evropiane dhe botërore. Siç tham në fillim, një prej betejave kryesore në karrierën e Vokrrit ka hyrë në fazën finale dhe Kosova është në prag të pranimit në UEFA dhe FIFA.

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori vendim që aplikimi ynë të dërgohet për votim në kongresin e ardhshëm të rregullt. Por, pas zhvillimeve të fundit dhe aferave korruptive që shpërthyen në UEFA dhe FIFA, kongresi i paraparë për muajin mars është shtyrë për 3 maj dhe tashmë është konfirmuar se do të mbahet në Budapest, rendi i ditës është definuar dhe temë qendrore e këtij kongresi do të jetë kërkesa dhe aplikimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për pranim”, thotë Vokrri.

Sipas tij, me pranimin eventual të Kosovës në UEFA, pas 10 ditëve, do të diskutohet edhe për pranimin në FIFA sepse Komiteti i Ekzekutiv i kësaj organizate ka vendosur që “çështjen e Kosovës” ta fus në rend të ditës të Kongresit të radhës që mbahet më 13 maj. Për këtë, merita të mëdha ka Shenes Erziku, nënkryetari i UEFA-s dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.

Për më tepër, kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës thekson se, TFF-në gjithmonë e ka llogaritur si një ndër federatat mike më të mëdha dhe kjo është konfirmuar në çdo takim, gjatë vizitës në Turqi, në Maltë dhe së fundmi, gjatë zgjedhjes së presidentit të FIFA-s në Cyrih.

“Kemi raporte të jashtëzakonshme, nuk do të thosha vetëm miqësore apo fqinjësore, ato janë përtej miqësisë , sepse na lidh edhe një histori e mëhershme. Në çdo aspekt, ata kanë qenë pranë nesh dhe i falënderoj dhe asnjëherë, në asnjë moment nuk kanë hezituar të na ndihmojnë”, thotë Vokrri , duke përmendur edhe rastin kur pa asnjë kërkesë dhe asnjë kusht, kombëtarja e Turqisë kishte ardhur për ta zhvilluar ndeshjen miqësore në Kosovë, në fillim të fushatës për eliminatoret e Evropianit “Franca 2016”.



Lajme të ngjashme