Presidentja e Kosovës pritet në takim nga Përfaqësuesja e BE-së Mogherini

Gjatë takimit u bisedua në lidhje me përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

464301
Presidentja e Kosovës pritet në takim nga Përfaqësuesja e BE-së Mogherini

Presidentja e Republikës së Kosovës në largim, Atifete Jahjaga, sot është pritur në Bruksel në selinë e Bashkimit Evropian (BE) nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

"Gjatë takimit është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe përpjekjet e vendit për t'i realizuar reformat politike dhe ekonomike, në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane", thuhet në njoftimin e Presidencës.

Me këtë rast, presidentja Jahjaga ka falënderuar Mogherinin për mbështetjen, angazhimin e saj dhe të BE-së për forcimin e perspektivës evropiane të Kosovës me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila tashmë ka hyrë në fuqi, duke theksuar nevojën që perspektiva e integrimit evropian të Kosovës të forcohet edhe më tutje.

Në këtë kontekst, Jahjaga ka potencuar se Kosova së bashku me shtetet tjera të rajonit, si prioritet në agjendën e saj shtetërore e ka “ thellimin e reformave të brendshme, sikurse në vendet tjera dhe nxit përmirësimin e marrëdhënieve për fqinjësi të mirë”.

Ajo ka garantuar se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e procesit të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve si rrugë e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon dhe për të përshpejtuar integrimet euroatlantike të të dyja vendeve.

Presidentja e Kosovës në largim, ka ritheksuar nevojën që ky proces i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të përqendrohet në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel duke kushtëzuar përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në BE.



Lajme të ngjashme