Refugjatët në Idomeni nuk pranojnë të transferohen në kampe të tjera

Refugjatët e bllokuar prej muajsh tashmë në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, në Idomeni, vazhdojnë të shprehin revoltën e tyre kundër mbylljes së “rrugës ballkanike” duke mbajtur të bllokuar që nga dita e hënë hekurudhën ndërkombëtare.

Refugjatët në Idomeni nuk pranojnë të transferohen në kampe të tjera

Protestuesit shprehin revoltën kundër programit të Bashkimit Evropian për zhvendosjen e refugjatëve, sepse programi në fjalë, sipas tyre, nuk ekziston ose në të kundërt, përmban një procedurë të gjatë dhe të pamundur për refugjatët.

Një nga protestuesit tha se nuk duan të largohen nga Idomeni dhe do të presin në këto kushte të mjerueshme për jetesë deri sa Evropa t'ua mundësojë hapjen e kufijve që të vazhdojnë udhëtimin e tyre.

Sipas tyre, nëse largohen nga Idomeni, Evropa do t'i harrojë ata.

“Jemi duke pritur këtu që të hapen kufijtë, por autoritetet greke transferuan 2 000 refugjatë në kampe tjera. Ne nuk duam të na dërgojnë në kampe ushtarake, sepse atje tërë bota do të na harrojë. Në ato kampe ka kontrolle ushtarake dhe bota nuk do ta dëgjojë zërin tonë. Atje nuk lejohen media dhe gazetarë”, u shpreh ai.

Kreu i UNHCR-së në Selanik, Marco Buono deklaroi se kampi në Idomeni nuk kapacitete për t'u përballur me një numër aq të madh refugjatësh dhe për këtë arsye refugjatët në mënyra dhe për arsye të ndryshme organizojnë protesta.

Sipas tij, e vetmja mënyrë për t'u përmirësuar gjendja në Idomeni është që refugjatët të shpërndahen nëpër kampe tjera dhe të aplikojnë në programin e BE-së.

“Kjo është një procedurë që duhet të zbatohet nga autoritetet greke, por nuk kanë kapacitete për këtë numër të madh të refugjatëve, prandaj dhe vonohet procedura. Refugjatët duhet të kenë durim dhe nga dita në ditë të gjithëve do t'u jepet mundësia për të aplikuar”, tha Buono.

Ekipet e UNHCR-së paralajmërojnë se gjatë ditëve të ardhshme gjendja e refugjatëve në Idomeni do të përmirësohet. Ata njoftojnë se do të shtohet numri i organizatave humanitare që do të ndihmojnë refugjatët, mirëpo theksojnë se e vetmja mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështje është programi i BE-së për zhvendosjen e refugjatëve.

Ndërkohë, një numër i madh i refugjatë këmbëngulin që mos të largohen nga Idomeni, duke shpresuar se një ditë do të hapen kufijtë e “rrugës ballkanike”. Ata çdo ditë organizojnë protesta të ndryshme, duke shprehur pakënaqësitë ndaj trajtimit të tyre nga Evropa.


Lajme të ngjashme