Zv/kryeministri Thaçi në Gjermani: Vitin tjetër pa viza në BE

Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën më të madhe gjermane mbi ekonominë dhe financën, "Handelsblatt", deklaroi se pret që vitin e ardhshëm të hiqen vizat nga BE-ja për qytetarët e Kosovës.

377709
Zv/kryeministri Thaçi në Gjermani: Vitin tjetër pa viza në BE

Duke folur për izolimin shumëvjeçar të kosovarëve, Thaçi ka theksuar se qeveria e Kosovës ka kërkuar nga BE-ja që të heqë dorë nga vizat për qytetarët tanë.

“Me heqjen e detyrimit për viza, do të bjerë emigracioni i paligjshëm. Ne ndërkohë i përmbushim kërkesat e BE-së. Prandaj unë pres që vitin e ardhshëm të hiqen vizat nga BE-ja për qytetarët nga Kosova”, ka paralajmëruar ai.

Ai është cituar edhe nga gazetat “Die Welt”, “Tagesspiegel”, “Basler Zeitung, “Merkur”, “Rheinische Post” dhe televizioni "n-tv", duke folur për liberalizimin e vizave, zhvillimin ekonomik, MSA-në dhe luftën kundër emigracionit ilegal.

Thaçi ka folur edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për domosdoshmërinë e krijimit të më shumë vendeve të punës për qytetarët e Kosovës. “Kjo është arsyeja pse ne duam të sjellim investitorë të huaj në vendin tonë dhe për të promovuar në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, ka shtuar ai.

Kryediplomati kosovar u shpreh se këtë vit Kosova ka nënshkruar një kontratë për vend-skijimin më të madh me një konsorcium francez në jug të Kosovës, i cili paraqet një investim prej 400 milionë eurosh.

Sipas tij, 3.000 vende pune të reja do të krijohen atje, derisa, një konsorcium amerikano-gjerman do të ndërtojë një termocentral të ri, ku investimi do të jetë një miliard euro.

“Ne bëjmë gjithçka që është e mundur për të sjellë në Kosovë më shumë investitorë gjermanë. Unë personalisht kam proklamuar në Gjermani për investime në sektorin e energjisë dhe të infrastrukturës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka folur gjithashtu për emigracionin ilegal. “Shumica e vendeve të BE-së tashmë e kanë shpallur Kosovën, si dhe pjesën tjetër të Ballkanit, si një vend të sigurt. Një konstatim i saktë, sepse Kosova është vërtetë një vend i sigurt, një shtet i kthyer drejt të ardhmes, zhvillimit dhe prosperitetit”, është cituar Thaçi nga e përditshmja gjermane “Die Welt”.

Zv/kryeministri Thaçi ka theksuar se menjëherë pas fluksit të madh të emigracionit ilegal, autoritetet kosovare në bashkëpunim me ato gjermane kanë ndërmarrë hapa përcaktuese në parandalimin e shtimit të numrit të atyre, që janë larguar nga vendi.

“Ne jemi duke u përpjekur për të përcjellë të vërtetën për të informuar njerëzit përmes një fushate informative. Gjithashtu, unë personalisht përpiqem për të folur me emigrantët për të qartësuar gënjeshtrat e trafikantëve. Me ndihmën gjermane, ne gjithashtu jemi duke u përpjekur që t’i ndihmojme të rikthyerit në Kosovë, që do të thotë, t’ju ofrojmë një çati mbi kokë dhe asistencën sociale”, tha Thaçi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme