Haradinaj "në pritje të procedurave"në Lubjanë

Ramush Haradinaj, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i ndaluar dje në Slloveni, bëri të ditur nga Lubjana tha se ndodhet “në një hotel në pritje të procedurave”.

Haradinaj "në pritje të procedurave"në Lubjanë

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftoi sonte në një konferencë shtypi se, sot rreth mesditës, në Aeroportin e Lubljanës, kryetari i saj Ramush Haradinaj është ndaluar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Nënkryetari i AAK, Ardian Gjini tha se në orën 18:00, Kryetari Haradinaj është paraqitur para Gjykatës, e cila ka vendosur që t’ia mbajë pasaportën deri në vendimin tjetër të Gjykatës. “Vendimi pritet që të merret nesër. Këto janë informatat zyrtare”, tha ai, duke shtuar se, “AAK është thellësisht e indinjuar me veprimin e sotëm të organeve sllovene të rendit”.

“Ky veprim nuk është vetëm fyerje për Kryetarin Haradinaj dhe për Aleancën, por është fyerje edhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Aleanca e sheh këtë veprim si një padrejtësi dhe të pakuptimtë”, u shpreh Gjini.

“Ndalja e kryetarit Haradinaj nga autoritetet sllovene sipas një urdhër-arresti të Serbisë, të lëshuar në vitin 2004, në kohën kur të gjitha vendet tjera i kanë pastruar listat e tilla, nuk i kontribuon ndërtimit të marrëdhënieve të mira në mes asnjë vendi në rajon, nxit tensione dhe më së paku i kontribuon drejtësisë”, tha nënkryetari i AAK.

“Kërkojmë nga autoritetet e Republikës së Sllovenisë që të sillen me Kosovën dhe qytetarët e saj në të njëjtën mënyrë si ne jemi sjellë me ta gjithmonë”, vijoi ai. “Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës t’i drejtohet Qeverisë së Sllovenisë menjëherë me një Notë Proteste”, shtoi Gjini.

“Një ish-kryeministër, një lider politik dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës, mbi të gjitha, një simbol i lirisë, pasi që dy herë është shpallur plotësisht i pafajshëm nga Tribunali i Hagës ndalet nga autoritetet sllovene me urdhër-arrest të atyre që i kanë shkaktuar shumë vuajtje dhe mizori gjithë Ballkanit. Kjo është e pakuptueshme dhe e pafalshme”, përfundoi nënkryetari i AAK.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme