Bushati i bëri thirrje Maqedonisë të zbatojë Marrëveshjen e Ohri

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë interpelancës së kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda, mbi ngjarjet e ndodhura në Kumanovë, tha se situata atje karakterizohet nga kriza politike.

Bushati i bëri thirrje Maqedonisë të zbatojë Marrëveshjen e Ohri

Ai ka vijuar më tej duke u bërë thirrje forcave qeveritare të Maqedonisë që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, e cila cilësohet si baza e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndëretnik në Maqedoni. “Procesi i demokratizimit të shoqërisë në Maqedoni është një proces i brendshëm i tyre, ndaj dhe si i tillë nuk mund të ndërhyhet nga jashtë”, theksoi ministri Bushati, i cili më pas bëri të ditur se “Shqipëria është gjithnjë në mbështetje të qëndrueshmërisë politike e sociale në vendin fqinj”.

Kjo krizë, tha Bushati, ka pasojat e veta dhe paraqet një sërë sfidash edhe për aspektet e sigurisë të cilat komplikohen edhe më shumë nga ngjarje si ajo e Kumanovës.

“Shqetësimi i faktorit ndërkombëtar ka qënë shprehja për t’i vënë fre tendencave për një përpjekje për ta devijuar këtë krizë politike në një drejtim të rrezikshëm dhe sidomos për të implikur në të element etnik apo për të përzier marrëdhëniet ndëretnike ç’ka do të sillte pasoja katastrofike për stabilitetin, të ardhmen dhe integritetin territorial të Maqedonisë”, u shpreh ministri Bushati.

Në gjykimin tonë, në Maqedoni, vijoi ai, dy problemet duhen parë të ndara, pasi një dimension është kriza politike e përplasjes mes qeverisë e opozitës maqedonase, e një tjetër dimension janë marrëdhëniet ndëretnike, të cilat për fatin e mirë të situatës e prespektivës euroatlantike në Maqedoni, shtoi Bushati, janë arritur të mbahen në një nivel vetpërmbajtjeje, falë angazhimit të miqve të Maqedonisë por edhe aktorëve kryesorë politikë në vendin fqinjë.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë e sheh një përputhje të plotë midis detyrës që buron nga kushtetuta e Shqipërisë për interesimin mbi liritë dhe të drejtat e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe detyrës si vend anëtar i NATO-s për të bashkaur përpjekjet me të gjithë vendet anëtare për ruajtjen e stabilitetit demokratik në Maqedoni”, deklaroi Bushati.

Ne, theksoi ministri Bushati, e konsiderojmë jetike realizimin e një marrëdhënie ndëretnike dhe konsolidimin e stabilitetit ndëretnik të Maqedonisë. Sipas tij, çdo anim drejt një elementi në dëm të një elementi tjetër mund të kishte pasoja të pakëndshme siç dëshmon historia e dekadës së kaluar.

Gjatë zhvillimeve në fund të muajit prill dhe në 10 ditëshin e parë të majit, theksoi kryediplomati shqiptar, janë konstatuar lëvizje të forcave policore e ushtarake të Maqedonisë në kufinjtë me shtete kufitare në veri-lindje-perëndim. Këto lëvizje, tha ai, janë konsideruar si në funksion të situatave dhe nevojave të brendshme dhe nuk kanë patur lidhje ndërmjet Maqedonisë e Shqipërisë. Ai siguroi qytetarët shqiptare që në asnjë moment nuk është evidentuar shenja të kërcënimit të sigurisë së kufinjve tanë dhe se monitorimi i situatës së sigurisë kryhet edhe në bashkëpunim të plotë më Aleancën.
“Vlerësimi i faktorit politik shqiptar dhe i popullsisë shqiptare në Maqedoni është që marrëveshja e Ohrit e nënshkruar në vitin 2001 dhe ku firmëtar është edhe qeveria e partisë VMRO-DPMNE, e cila është prap në pushtet, nuk është zbatuar as në ritmet, as në fushat e as në dimensionet e parashikuara në nenet e saj. Mjafton të përmendim konkluzionet e Samitit të fundit të NATO-s në Wells, ku një nga çështjet kryesore të vendosura para Maqedonisë ishte pikërisht zbatimit i marrëveshjes së Ohrit. Republika e Shqipërisë i bën thirrje për angazhim maksimal nga të gjitha palët për të kapur ritmin e humbur për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, në frymë dhe në gërmë. Kjo është e vetmja mundësi për moskthimin e Ohrit nga një marrëveshje në një mosmarrëveshje për kohezionin etnik të Maqedonisë. Çdo tendencë për të shtyrë në kohë implementimin e plotë të saj është veçse dëmtuese e penguese për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë”, deklaroi shefi i diplomacisë shqiptare.

Ministri Bushati tha se garanci për një ekzistencë solide paqësore në një shoqëri ndërtnike është trajtimi i barabartë, edukimi i barabartë, shpërndarja e barabartë e të ardhurave, investimeve, përfaqësim politik i barabartë dhe i denjë, si dhe liria e plotë e përkatësisë etnike të anëtarëve të asaj shoqërie.
Kryediplomati shqiptar vuri në dukje se Shqipëria është në bashkërendim të plotë me Aleatët e saj, përsa i përket nevojës së zbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Në këtë vijë të bashkërenduar euroatlantike, tha ai, duhet parë edhe theksi që vuri kryeministri i Shqipërisë, në 27 maj, lidhur me domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit.
“Duhet të jetë e qartë për të gjithë ata që nuk kanë kuptuar apo keqkuptuar qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë, se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit nuk është as kusht, as bllokade, por normë dhe standard, të cilin e ka firmosur vetë qeveria e Maqedonisë dhe në mbështetje të plotë të aleatëve perëndimore, NATO dhe BE, të cilët ndërmjetësuan konfliktin e 2001 dhe rekomanduan zgjidhjen nëpërmjet asaj marëveshjeje si instrument pajtimi, demokratizimi e stabiliteti”, sqaroi ministri.
Sipas tij, Shqipëria ka qënë dhe është në mbështetje të plotë të stabilitetit, terësisë territoriale dhe anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO, dhe as Shqipëria dhe as të drejtat e popullsisë shqiptare nuk janë e nuk mund të jenë pengesë për integrimin euratlantik të Maqedonisë.

“Brenda detyrimit të saj kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të popullsisë shqiptare dhe brenda kuadrit ligjor të normave ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet midis sheteteve, Shqipëria ka zbatuar me konseguencë një politikë të drejtë, të frymës dhe standardeve europiane. Ajo ka mbështetur fort faktorin politik shqiptar në Maqedoni, në përpjekjet e tij për realizimin e barazisë, e të drejtave e lirive të popullsisë shqiptare në Maqedoni”, tha më tej ministri.

Përsa i përket dinamikës së situatës së mëtejshme, vijoi ai, është e kuptueshme se si vend anëtar i NATO-s , ne jemi pjesë e sensibilitetit që ka Aleanca dhe zbatojmë ato qëndrime e veprime që rrjedhin nga detyrimet tona si një vend anëtar i NATO-s në rajon. “Shqipëria ndjek me përparësi zhvillimet në vendin fqinj dhe inkurajon palët të bëjnë të gjitha përpjekjet në funksion të stabilitetit të vendit, kohezionit të brendshëm etnik dhe funksionimit të plotë të jetës politike në Maqedoni, duke dëshmuar maturi dhe vullnet për një bashkëjetesë paqësore në funksion të së ardhmes së Maqedonisë. Ne urojmë që klasa politike në vend do të ngrihet në lartësinë e detyrës shtetërore që të gjejë rrugëdalje për vendin nga kriza dhe të marrë angazhimin e duhur politik në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Maqedonisë”, deklaroi Bushati.

Sipas ministrit Bushati, elementet e zhvilluara të deritanishëm nuk japin mbështetje për teori konsopirative të revulucioneve me ngjyrë apo pa ngjyrë në Maqedoni.
“Tendencat për të portretizuar zhvillimet në Maqedoni, si tendenca të revulucioneve me ngjyra janë tendenca që nuk gjejnë vend në hapërisën ballkanike që spirancën e vet të ankorimit e kanë në rrjedhat euroatlantike. Çdo tendencë për t’i portretizuar zhvillimet në Maqedoni, si një tentativë revolucionesh me ngjyra, nuk janë në shërbim dhe në funksion të së ardhmes së Maqedonisë, por janë veçse dashakeqëse dhe nuk ndihmojnë në kurimin e drejtë të simptomave të krizës maqedonase”, u shpreh më tej Bushati.

Procesi i demokratizimit të shoqërisë dhe shtetit të Maqedonisë, theksoi ai, është një proces i brendshëm dhe Shqipëria mbështet ato dinamika që forcojnë standarde dhe norma të funksionimit të demokratizimit të shoqërisë së Maqedonisë dhe marrëdhënieve midis dy entiteve shtetformuese.
“Teoritë konspirative të revolucioneve me ngjyra të organizuara nga perëndimi apo gjoja nga shoqatata joqeveritare në Maqedoni duken më shumë si alibi për të justifikuar në forma të ndërhyrjes në punët e brendshme të Maqedonisë dhe marrjes peng të ëndrrës europiane të Ballkanit. Ministria e Punëve të Jashtme ka mbajtur dhe mban kontakte të rregullta me të gjitha palët politike në Maqedoni, gjë që është normale në marrëdhëniet ndërmejt shteteve. Raportet e faktorit politik maqedonas me faktorin politik shqiptar atje janë raporte që burojnë si nevojë nga marrëveshja e Ohrit dhe vlerësohen nga vetë ata faktorë dhe përbëjnë një probem të brendshëm të Maqedonisë. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk është nxitur në asnjë moment nga prirje apo orientime të politikës së brendshme në marrëdhëniet me faktorin politik shqiptar. Ai ka drejtuar të gjiha forcat politike mbi baza barazie, duke respektuar rigorozisht, renditjen, vendin dhe peshën që vet populli shqiptar në Maqedoni u ka dhënë atyre përmes votës”, tha kryediplomati shqiptar.

Deputetja Mesila Doda në fjalën e saj i konsideroi ngjarjet e ndodhura në Kumanovë të Maqedonisë, si një ndodhi që kërkon hetim ndërkombëtar, pasi edhe sot e kësaj dite, siç theksoi ajo, ende nuk dimë shkaqet që çuan në pasjen e asaj përplasjeje të armatosur mes një grupi luftëtarësh nga Kosova dhe forcave speciale të qeverisë së Shkupit. Doda e konsideroi atë ngjarje si një të tillë që na përket edhe neve në Shqipëri, pasi si ligjvënës të Parlamentit shqiptar e kanë për detyrë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme