Prefiksi ndërkombëtar për Kosovën do të jetë "383"

Kosova do të ketë kodin e telefonit ndërkombëtar 383 nga ITU

Prefiksi ndërkombëtar për Kosovën do të jetë "383"

Me ftesë të Bashkimit Evropian dje në Bruksel u zhvillua takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në të cilën ata diskutuan zbatimin e marrëveshjeve të telekomit, ku fokusi ishte mbi detyrimet dhe afatet kohore të përcaktuara në Planin e Veprimit të marrëveshjes.

Siç u njoftou sot nga Qeveria e Kosovës, Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, që drejton delegacionin e Kosovës, tha se në këtë raund të negociatave është arritur progres në përafrimin e pozicioneve të palëve në lidhje me Planin e Veprimit.

"Në këtë kontekst u diskutua mbi disa çështje të rëndësishme, dhe kemi rënë dakord për përshpejtimin e këtij procesi duke përcaktuar afatet obligative. Në këtë kontekst, Kosova do të marrë kodin e telefonit ndërkombëtar 383 nga ITU, ndërsa aplikimin në emër të Kosovës do të paraqesë Austria. Marrja e kodit telefonik për Kosovën është me rëndësi të madhe, sepse Kosova do të ketë një kod unik siç e ka çdo vend, për dallim me situatën aktuale, kur në përdorim ka disa kode", tha ministrja Tahiri.

Ajo ka deklaruar se ka mirëkuptim të bashkëpunimit në mes operatorëve të të dyja vendeve në fushën e roamingut, me qëllim të uljes së tarifave për qytetarët dhe që Kosova të përfshihet në iniciativën rajonale për roaming.

Ministrja Tahiri theksoi se pjesë e marrëveshjes është edhe dhënia e licencës së përkohshme për një kompani të re telefonike në Kosovë, e cila do të ketë fushë të kufizuar të veprimit.

"Nuk bëhet fjalë për operatori të ri të telefonisë, pasi ajo në Kosovë përcaktohet vetëm përmes tenderimit ndërkombëtar. Me marrëveshjen përfundimtare mbi planin e implementimit, i cili pritet të përfundojë në takimin e ardhshëm, do të mbyllen të gjithë operatorët ilegalë, të cilët veprojnë në Kosovë në fushën e telekomunikacionit", thuhet në deklaratë.

U ra dakord gjithashtu që këtë muaj përsëri të mbahet një takim në Bruksel, për të precizuar të gjitha detajet e planit të zbatimit në lidhje me telekomin, dhe pas përfundimit të dokumentit do të paraqiten për shqyrtim dhe miratim në nivel të kryeministrave të të dy vendeve dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, në takimin që do të mbahet së shpejti.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme