Xhamia Namazgja - Nishani-Erdogan përurojnë fillimin e punimeve

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përuruan pasditen e sotme nisjen e punimeve në Xhaminë e Namazgjasë.

Xhamia Namazgja  - Nishani-Erdogan përurojnë fillimin e punimeve

Presidenti Nishani në fjalën e tij u shpreh se ndihet i nderuar që sot përurohet nisja e punimeve të këtij projekti të madh për Xhaminë e Namazgjasë.

Teksa falënderoi për praninë e tij homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, për ardhjen në vendin tonë, si mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, Presidenti Nishani theksoi se ndërtimi i kësaj xhamie do të zgjidhë shumë probleme, me të cilat hasen sot besimtarët myslimanë shqiptarë.

“Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe ndihmën e pakursyer për ndërtimin e këtij kulti kaq të nevojshëm për besimtarët myslimanë shqiptarë. Diktatori Enver Hoxha persekutoi besimtarë myslimanë. Në këtë vend, shqiptarët i drejtoheshin Zotit në heshtje gjatë ditëve të egra ndaj kuleteve shqiptare”, tha Nishani.

Presidenti Nishani risolli në vëmendje vuajtjet e besimtarëve myslimanë dhe jo vetëm, gjatë regjimit të egër të diktaturës komuniste, ndërsa theksoi se pavarësisht besimit që i përkisnin, ata vendosën të bashkëjetonin mes tyre në qeli.

“Jam tepër i lumtur dhe i nderuar zoti President që bashkë me ju finalizojmë fillimin e punimeve për besimtarët myslimanë shqiptarë. Shqipëria është një model i bashkëjetesës shqiptare. Jo vetëm ne gëzojmë dhe respektojmë në liri besimin e njëri-tjetrin, por dhe gjatë periudhës komuniste, ku pjesëtarë nga të gjitha fetë u persekutuan, shumë prej tyre shkuan drejt kuadrave të pushkatimit, apo ndanë qelitë, së bashku, pavarësisht fesë që i takonin”, tha Nishani.

Ndërsa Presidenti i Turqisë, Erdogan, uroi që punimet për Xhaminë e Namazgjasë të përfundojnë sa më parë. “I lutemi Zotit që kjo xhami të përfundojë sa më shpejt. Dëshirojmë që të gjitha faljet që do të bëhen në këtë foltore të pranohen nga Zoti”, u shpreh Presidenti turk.

“Kjo xhami, që do t’i shërbejë të gjithë Tiranës, është një punë mjaft e mirë e Vakëfit të Çështjeve Fetare të Turqisë dhe dëshiroj t’i falenderoj ata sot. Kjo xhami do të ndërtohet me kontributin dhe ndihmat e të gjithë shtetasve tanë në Turqi. Kjo xhami do të jetë një simbol mjaft i qartë dhe kuptimplotë i marrëdhënieve të mira mes qytetarëve tanë”, theksoi Presidenti i Turqisë.

Erdogan tha se në Turqi janë krijuar struktura paralele, që konsiderohen organizatë terroriste për shtetin turk dhe se kjo organizatë ka veprimtari edhe në Shqipëri. Ai tha se për këtë çështje ka diskutuar edhe me Nishanin dhe Ramën dhe qëndrimi duhet të jetë i qartë.

“Ju jeni në dijeni që në vendin tonë po luftojmë kundër një strukture paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht atë si një organizatë terroriste që kërcënon vendin tonë, popullin tonë. Luftën kundër kësaj organizate do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë edhe në Shqipëri. Unë me vëllezërit e mi të vyer, zotin Nishani dhe zotin Rama e trajtova këtë çështje dhe kam bindjen që ata do të bëjnë atë që duhet”, tha Erdogan.

Erdogan shprehu bindjen e plotë se institucionet shqiptare nuk do të tolerojnë këtë organizatë dhe anëtarët e saj. “Turqia me kryesinë e çështjeve fetare dhe me institucionet e tjera është e aftë të sigurojë të gjitha ato shërbime që kjo organizatë ka bërë këtu në Shqipëri. Për këtë çështje duhet të jemi të qartë, duhet ta kemi të qartë”, deklaroi Erdogan.

Pas ceremonia ka vijuar me shtypjen e butonit për hedhjen e betonit, ku ka nisur zyrtarisht edhe puna për ndërtimin e Xhamisë dhe Kompleksit të Namazgjasë.

Ky kompleks do të jetë qendra më e madhe Islame në Ballkan, e cila do të përfshijë xhaminë, një sallë konferencash, sallë mbledhjeje, një sallë ekspozitash, Muzeun e parë Islam në Ballkan, bibliotekën, zyra, parking, si dhe hapësira të tjera për publikun.

Kompleksi Namazgja do të ketë një kapacitet të përgjithshëm prej 20.000 metrash katrorë, kurse xhamia do të ketë një kapacitet prej 5.000 vetash, që mund të falen në të njëjtën kohë.

Në ceremoninë e hedhjes së themeleve të xhamisë së Madhe të Tiranës morën pjesë një numër i madh qytetarësh të kryeqytetit dhe më gjerë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme