Vazhdojnë përleshjet e armatosura në Kumanovë

Të shtënat kanë rifilluar edhe sot në Kumanovë, në veri të Maqedonisë në kufi me Kosovën, ku luftimet një ditë më parë mes forcave të sigurisë dhe një grupi të armatosur kanë shkaktuar të paktën pesë të vdekur në radhët e policisë.

Vazhdojnë përleshjet e armatosura në Kumanovë

Helikopterë të forcave maqedonase të sigurisë fluturojnë mbi Kumanovë dhe të shtëna sporadike me armë automatike dëgjoheshin sot në këtë qytet rreth 40 kilometra në veri të kryeqytetit të Shkupit që u bë dje skenë e përleshjeve të armatosura.

Trupat e elitës, automjetet e blinduara, policë me kaska dhe jelekë antiplumb kanë rrethuar lagjen me shumicë shqiptare ku janë vendosur anëtarët e grupit të armatosur.

Luftimet e ditës së djeshme kanë shkaktuar të paktën 30 të plagosur në radhët e policëve dhe një numër që ende nuk dihet në radhët e grupit të armatosur.

Në Maqedoni, vend me 2,1 milionë banorë, pjesa më e madhe sllavë ortodoksë dhe ku minoriteti shqiptar përbën një të katërtën e popullsisë, këto përleshje kanë rritur frikën për një konflikt tjetër të ngjashëm me konfliktin gjashtëmujor në vitin 2001.

“Situata në terren mbetet delikate”, deklaroi dje në mbrëmje për shtypin ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska.

”Të gjithë deri në një, krah për krah, luftuan kundër një grupi jashtëzakonisht të rrezikshëm, i cili ishte një kërcënim i madh për institucionet shtetërore, por më tepër për paqen dhe sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë”, theksoi ajo.

Mes tjerash, Jankulovska konfirmoi se qëllimi i grupit të armatosur ishte sulmi ndaj institucioneve strategjike shtetërore në Republikën e Maqedonisë. Ajo shprehu ngushëllime për familjet e të vrarëve.

Jankulovska theksoi se 20 anëtarë të këtij grupi iu ishin dorëzuar forcave të policisë, por një numër i madh mes tyre kanë refuzuar të dorëzohen dhe vazhdojnë të bëjnë rezistencë. Ministrja nuk ka dhënë më shumë detaje.

Sipas medias vendase një polic është vrarë mëngjesin e sotëm duke e çuar në gjashtë numrin e viktimave në radhët e policisë. Mes tyre mësohet të jetë edhe një polic shqiptar nga Studeniçani i Shkupit.

Siç konfirmuan familjet e tyre bëhet fjalë për Zharko Kuzmanovski (32) nga Bërdenica, Sasho Samoilovski (32) nga Tetova, Nenad Serafimovski (28) nga Zubovce, Isamedin Osmani, Boban Ivanoviq dhe Goran Ilievski.

Qeveria e Maqedonisë ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi këtë ngjarje të rëndë, për të cilën ka shpallur edhe dy ditë zie kombëtare, duke nisur nga dita e diel 10 Maj, e deri të hënën më 11 Maj.

Kandidate për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që prek 10 vjetësh, Maqedonia është në prag të një krize të rëndë politike, që ka përballur që prej disa muajsh formacionet kryesore sllave, opozitën e majtë që akuzon pushtetin konservator për korrupsion dhe përgjimin e 20 000 personave duke përfshirë dhe politikanë, gazetarë dhe klerikë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme