Suksesi i studentëve nga Kosova në NASA

“NatEv Explorer”, projekti i grupit të studentëve nga Kosova, fitoi çmimin “People’s Choice Award” në kuadër të garës “NASA Space Apps Challenge”, me 68903 vota, ndërsa në vendin e dytë u rendit konkurrenti nga Universiteti i Garbosit të Bullgarisë.

Suksesi i studentëve nga Kosova në NASA

Për ta fituar këtë çmim ishin 15 projekte nga vendet e ndryshme të botës, të cilat gjatë votimit online morën gjithsej 156.007 vota.

Duke parë konkurrencën e ngushtë me një grup tjetër studentësh konkurrent nga Universiteti i Garbosit të Bullgarisë, që po zhvillohet në votimin online, ishte kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa që përmes Facebook-ut, kërkoi nga ndjekësit e profilit të tij në këtë rrjet social, të mobilizohen për të votuar të rinjtë e projektit NatEv Explorer.

Pak orë më pas, të njëjtën kërkesë e bëri edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili u pasua nga politikanët e tjerë të pozitës dhe opozitës si dhe nga figura të sferës së publicistikës, artit e më gjerë.

Kjo fushatë theu edhe kufijtë shtetërorë duke mobilizuar edhe politikanë dhe fytyra tjera publike në pjesë tjera të banuara me shqiptar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i dha një shtytje këtij votimi “online”, ndërsa nga Maqedonia të njëjtën thirrje e bëri publicisti Kim Mehmeti. Mbështetje të madhe për garuesit kosovarë përmes rrjeteve sociale kanë dhënë edhe shumë qytetarë.

Projekti “NatEv Explorer”, është një platformë e bazuar në ‘Web’, ku sinkronizohen të dhënat në kohë reale të satelitëve të NASA dhe bën klasifikimin e dukurive gjeologjike duke përdorur inteligjencë artificiale.

NatEv Explorer zgjidh sfidën e ashtuquajtur “Volcanoes, Icebergs and Cats from Space”. Kjo sfidë ka të bëjë me zbulimin e dukurive natyrore nga hapësira siç janë: erupsionet vullkanike, vërshimet, tornadot, shkrirjet e akullnajave, zjarret në male/pyje, aurorat, etj.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme