Shqipëria nënshkruan Konventën e KiE-së kundër Trafikimit të Organeve Njerëzore

Në Santiago të Spanjës, është nënshkruar të mërkurën Konventa e Këshillit të Evropës kundër Trafikimit të Organeve Njerëzore, e para e këtij lloji që nënkupton bashkëpunimin ndërkombëtar kundër trafikimit të organeve njerëzore dhe fuqizimin e aspektit ligjor.

Shqipëria nënshkruan Konventën e KiE-së kundër Trafikimit të Organeve Njerëzore

Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Brëndshme të Shqipërisë, Konventa u nënshkrua nga 14 vende, ku 11 vende janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe 3 nga vendet joanëtare, në prani të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës (KiE), Thorbjon Jagland.

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea (Hoxha), firmosi për palën shqiptare.

Konventa e KiE-së kundër Trafikimit të Organeve Njerëzore është konceptuar si një akt i përbashkët ndërkombëtar në luftën kundër trafikimit të organeve njerëzore, në respektim të të drejtave themelore të njeriut, si dhe në mbrojtje të të drejtave të viktimave.

Në qendër të Konventës është mbrojtja e të drejtave të viktimave ardhur nga kryerja e veprës penale të trafikimit të organeve njerëzore, e cila do të arrihet nëpërmjet një bashkëpunimi ndërkombëtar.

Bazuar në këtë Konventë, palët nënshkruese do të marrin masa të nevojshme legjislative për të vendosur si vepër penale sipas ligjeve të brendshme, rastet e kryerjes me qëllim të heqjes dhe përdorimit të organeve njerëzore, nga të gjallët, apo dhuruesit e vdekur.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme