Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri, përfundon 1/3 e punës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, gjatë vizitës në nënstacionin e termocentralit “Kosova B”, në Obiliq, së bashku me ministrin e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se ndërtimi i linjës 400 KW Kosovë-Shqipëri po shkon mirë dhe deri tani është përfunduar 1/3 e punës së parashikuar.

Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri, përfundon 1/3 e punës

Sipas "KosovaPress", Stavileci tha se edhe pse ka pasur humbje në kohë për sa i përket fillimit të punimeve, sërish po punohet intensivisht që punimet të përfundojnë në kohën e parashikuar.

Ai sqaroi se ky projekt pritet të hyjë në funksion vitin e ardhshëm, kur edhe do të përfundojë puna nga pala shqiptare. Stavileci e konsideroi ndërtimin e kësaj linje si autostrada energjetike mes dy vendeve.

"Një e treta e projektit është përfunduar dhe shpresojmë që ashtu siç është edhe dinamika kohore e aktiviteteve të planifikuara për ndërtimin komplet, deri në fund të këtij viti, të përfundojë pjesa nga Kosova. Ndërkohë pritet që pranverën e vitit të ardhshëm të përfundojë edhe pjesa që i takon Shqipërisë", tha Stavileci.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës shtoi se kjo linjë konsiderohet si një autostradë energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke ditur rëndësinë që ka, por edhe përfitimet e shumta për dy vendet.

Stavileci po ashtu bëri të ditur se ata janë duke menduar të fillojnë ndërtimin e një linje të re 100 kilovatësh në linjën Dragash-Kukës.

"Ne kemi bashkëbiseduar për një linjë të re 100 kilovatësh Dragash-Kukës, por po ashtu kemi rënë dakord me ministrin Gjiknuri që në idetë dhe konceptet tona ndërzhvillimore të përfshijmë edhe disa të reja, që kanë të bëjnë me ndërtimin e kapaciteteve, që plotësojnë edhe më shumë funksionimin e një tregu energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë", theksoi ai.

Ndërsa ministri Gjiknuri vuri në pah se të dyja vendet kanë sfida për sa i përket sigurisë së energjisë, por me përfundimin e kësaj linje do të ketë një qëndrueshmëri në furnizimin me energji elektrike. Po ashtu, ai tha se kjo linjë do të harmonizohet me politika dhe strategji të përbashkëta.

"Kemi konkretizimin e projektit të përbashkët, që është tamam integrimi energjetik i Shqipërisë dhe Kosovës. Përfundimi i kësaj linje krijon damarin e nevojshëm dhe shtyllën kurrizore, ku ky sistem do të ngrihet, i cili do të harmonizohet me politika, strategji dhe investime të përbashkëta ashtu siç kemi rënë dakord", u shpreh Gjiknuri.

Sipas tij, të dyja vendet kanë sfida përpara për sa i përket sigurisë energjetike dhe kanë mundësi që përmes sistemeve dhe burimeve të tyre të sigurojnë një qëndrueshmëri në furnizimin e energjisë elektrike për të gjitha nevojat, që do të vijnë. "Shqipëria dhe Kosova kanë nevoja të mëdha, prandaj është i nevojshëm koordinimi dhe harmonizimi i këtyre politikave", vijoi ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Projekti i linjës 400 KW pritet t’i kompletojë linjat ndërlidhëse të Kosovës me të gjitha vendet fqinje. Kjo linjë, që po ndërtohet me Shqipërinë, vlerësohet e një rëndësie të veçantë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme