Rama: Transiti i përbashkët Shqipëri-Kosovë, hap i rëndësishëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pёruruan sot së bashku tranzitin e pёrbashkёt doganor mes Kosovёs dhe Shqipёrisё.

Rama: Transiti i përbashkët Shqipëri-Kosovë, hap i rëndësishëm

“Sot është një ditë e shënuar sepse i japim fund një kapitulli vonesash, pengesash, për sipërmarrjen që punon në dy anët e kufirit, dhe ka nevojë për këtë pikë shërbimi, jo për t’u vonuar por për ta pasur si pikë kalimi pa asnjë vonesë e burokraci. Nga sot nuk janë më 2 ditë vonesat e kalimit nga njëra anë në tjetrën, por vetëm 5 minuta”, tha Kryeminstri Rama.

Kufijtë, theksoi Rama, “ky ka qenë synimi ynë, të një bashkimi doganor me Kosovën. Ja ku jemi sot në një nga ato ditë ku materializojmë një pjesë tjetër të gjithë atij mozaiku që kemi përcaktuar nga mbledhja në Prizren. Në ditën kur transiti i mallrave nuk është më ndërkombëtar si deri dje, por bashkim i zyrave doganore të dy vendeve tona. Nuk është kosto e dyfishtë, por është një procedurë e vetme që përbashkon në një rrugë dy sistemet e të njëjtës gjuhë”.

“Ka pasur shumë skeptikë që për shkak të pengesave të pakapërcyeshme në vite na kujtojne se mes të thënës dhe të bërës është një det i tërë i pamundur për tu kapërcyer, por për ne është i mundur dhe i kapërcyeshëm”, tha Rama.

Nga sot, theksoi kreu i qeverisë shqiptare, “porti Durrësit për të gjithë mallrat që vijnë në Kosovë është pika e vetme e kontrollit dhe mjafton kontrolli në Durrës per të gjitha mallrat që shkojnë në Gjakovë, Prizren, pa qenë nevoja për ti rikontrollar këtu”.

“Në 2 shkurt u lidh kontrata për të zgjerur hyrjen e rrugës në Morinë, jo vetëm për mallrat, por edhe për dhjetramijëra qytetarët që sidomos gjatë periudhës së verës të kalojnë këtu. Dhe gjatë verës nuk do të ketë më kontolle një për një për familjet që vijnë në Shqipëri për pushime. Por do të ketë kontroll të rastësishëm dhe relaksues, duke e parë si vijë kalimi, jo vijë kufiri. Me mbështetjen e BE jemi gati për të ndërtuar dhe doganën e përbashkët Morinë-Vërmicë”, tha Rama.

“Deklarata e përbashkët pas mbledhjes së pare të dy qeverive, mbledhje që do të ketë raundin e dytë në mars të këtij viti, bazohej në ndërtmin e një tregu të përbashkët, por edhe në fushën e infrastrukturës, arsimit, kulturës etj. Kanë filluar të jetësohen projekte që i përkasin këtyre marrëveshjeve duke treguar se mund të ecim shumë shpejt”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, transiti i përbashkët doganor është një gur i rëndë në themelin e së ardhmes së përbashkët të shqiptarëve.

“Vizioni ynë është i qartë dhe mbi të gjitha vendosmëria jonë e përbashkët është në provë dhe çdo ditë provon se është në shërbim të rrugës, bindjeve dhe qëllimit tonë të madh, ëndrrës së madhe të të gjithë shqiptarëve për të jetuar së bashku në atë hapësirë të përbashkët ku një komb funksionon përmes dy shteteve. Falënderim i posaçëm për kryeministrin e Kosovës, me të cilin do të jemi në Tiranë në mbledhjen e dy qeverive, për të garantuar se së bashku do të bëjmë realitet gjithçka që me të drejtë shqiptarët këtej dhe andej kufirit na e kërkojnë me të drejtë. Nuk ka kohë për të humbur dhe kjo është koha jonë, koha e shqiptarëve”, deklaroi Kryeministri Rama.

Nga ana e tij, edhe Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shtuar se dogana e Vërmicës është në të mirë të bizneseve dhe qytetarëve të të dy vendeve.

“Inaugurojmë një marrëveshje të përbashkët mes dy qeverive nga mbledhja në Prizren dhe shpresoj që këto marrëveshje të vijojnë të zbatohen si rrejdhojë e bashkëpunimit tonë të ngushtë. Bashkëpunimi ekonomik do të jetë shprehje e bashkëpunimit tonë, shprehje e të qenurit bashkë dhe në rrugën drejt integrimit evropian. Me këtë pikë doganore, përfitojnë bizneset, eficensa e tatimeve. Do të bëhet një rezultat më i madh i evazionit fiskal dhe procedurave të përgjithshmë ne fushën e efikasitetit fiskal. U konstatua edhe nga dy drejtorët se qëllimi nuk është vetëm shkurtimi i kohës së zhdoganimit, por edhe ulja e kostove, nga të cilët përfitojnë bizneset dhe qytetarët. Jemi të interesuar të bashkëpunojmë edhe më tutje.” tha Mustafa.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme