Mustafa jep shpjegime për çështjen e Trepçës

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa theksoi sot se e vlerëson të nevojshme të sqarojë se ka paqartësi tek vendorët, por edhe tek ndërkombëtarët lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike

196128
Mustafa jep shpjegime për çështjen e Trepçës

Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa tha se “sipas këtij propozimi, me nenin 2 të këtij ligji krijohet mundësia që Kuvendi i Kosovës mund të vendosë, me kërkesë të Qeverisë, që një ndërmarrje apo pjesë e saj të kalojë nga pronësia shoqërore, që është nën autoritetin e AKP-së, në pronësi publike. Kurse, regjistrimi i këtyre firmave si publike bëhet në marrëveshje me komunat, në territorin e të cilave gjenden. Fjala është këtu për prona, të cilat do të krijonin kushte për ndërtim të infrastrukturës shkollore, shëndetësore, kulturore, sportive etj, në interes të komunitetit, para së gjithash në komuna, sepse atyre sot iu mungojnë hapësirat, por dhe për toka të cilat do të nevojiteshin për tërheqje të investitorëve të jashtëm. Nuk është fjala për shtetëzim të pronave, në të kundërtën përcaktimi ynë është për ekonomi të tregut të bazuar në pronën private”.

“Këto dispozita nuk janë menduar të vlejnë për Trepçën. Është propozuar që Trepça të rregullohet me Ligj të veçantë. Me ligjet në fuqi të gjitha pasuritë minerare nëntokësore janë pronë e shtetit, kurse në forma të tjera të pronësisë (private, publike dhe ato që kanë mbetur shoqërore) janë ato sipërfaqësore. Prandaj është shumë e qartë se pasuritë minerare të Trepçës janë pronë e shtetit të Kosovës, për të cilat shfrytëzuesit i paguajnë shtetit një taksë të veçantë”, nënvizoi Mustafa. Pyetja në veçanti, vijoi Mustafa, shtrohet se a duhet të jetë shteti menaxher i Trepçës apo vetëm pronar i pasurive nëntokësore.

“Deri më tani, është vërtetuar se shteti ka dështuar të jetë menaxher i atyre firmave të cilat nuk prodhojnë produkte që janë në interes të publikut (arsim, shëndetësi, kulturë e sport, ujë, energji, shërbime postare, transport publik etj) dhe ku zbatohet ekonomia e shkallës (produkte apo shërbime me kosto më të ulët për njësi). Edhe qeverisja korporative në të shumtën e rasteve po tregohet joefikase dhe joefiçente. Por në rastin konkret kjo çështje vlen të vlerësohet pasi të jetë kompletuar Strategjia e Trepçës”, përfundoi Mustafa.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme