Mustafa: Vuçiç kërkon të sjellë në Kosovë krizën ekonomike serbe

Shefi i ekzekutivit të Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot se Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, "krizën e tij ekonomike në Serbi po tenton ta bartë në Kosovë".

192411
Mustafa: Vuçiç kërkon të sjellë në Kosovë krizën ekonomike serbe

"Dhe për fat të keq, në opinion po thuhet më shumë se çfarë po thotë ai, sesa si po veprojmë ne në vendin tonë dhe me pronat tona. Ai mund të thotë që të gjitha ndërmarrjet shoqërore janë të tij, për ta mashtruar qytetarin serb, por ne e dimë që të gjitha ato janë tonat dhe s’ka pse brengoset askush", thotë Mustafa.

"Askujt nuk i nevojitet leje të hyjë në pronën e vet, por Vuçiçit i duhet leje të hyjë në çdo pjesë të Kosovës, sepse ne jemi zotët e këtij vendi dhe nuk negociojmë për pronën e asnjë pjese të vendit tonë me askënd", shton ai në rrjetin social "Facebook".

"Vendimin, i cili krijoi kushte që Trepça të ballafaqohet me falimentim nga data 2 shkurt, nuk e solli Serbia, por Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme në Kosovë, vendorët dhe ndërkombëtarët. Por Kuvendi i Republikës së Kosovës, me ndryshimin e ligjit për organizimin e ndërmarrjeve, evitoi mundësinë e falimentimit. Qeveria dhe Kuvendi janë të ndërgjegjshme të marrin të gjitha vendimet dhe masat më të mira për këtë kombinat dhe për ardhmërinë e këtij vendi", thekson Mustafa.

"Ne duhet t'i zgjidhim problemet tona duke i peshuar mirë, pa kushtëzime dhe jo me politika populliste, sepse ky vend duhet të stabilizohet dhe të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm për nevojën e stabilizimit të tij", përfundon Mustafa.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme