Greqi – Samaras: Qëndrimi në BE, sfidë e zgjedhjeve legjislative

Sfida e zgjedhjeve legjislative të parakohshme më 25 janar është qëndrimi i vendit në Bashkimin Evropian, konfirmoi sot Kryeministri konservator grek, Antonis Samaras, duke iu referuar një fitoreje të mundshme të së majtës radikale “SYRIZA”.

Greqi – Samaras: Qëndrimi në BE, sfidë e zgjedhjeve legjislative

“Duhet të hyjmë në betejën e zgjedhjeve me përgjegjësi, sepse nga kjo betejë varet mbajta e vendit në Evropë”, deklaroi ai gjatë një takimi me Presidentin e Republikës, Karolos Papulias.

Antonis Samaras shkoi sot në rezidencën presidenciale për të kërkuar shpërndarjen e Parlamentit, ashtu si e parashikon Kushtetuta dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme më 25 janar.

“Zgjedhjet nuk ishin të nevojshme”, deklaroi Samaras, duke shprehur keqardhje për mungesën e konsensusit mes deputetëve, që çuan në zgjedhje të parakohshme në një moment që Greqia po negocion me Bashkimit Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për vazhdimin e një plani ndihme.

Një fitore e mundshme e të majtës radikale “SYRIZA”, që synon t’i japë fund politikave shtrënguese dhe të negociojë për një ristrukturim të ri të borxhit, ka ngjallur shqetësim pas njoftimit për zgjedhje të parakohshme.

FMN-ja njoftoi se do të ndërpresë ndihmën në pritje për të parë më qartë situatën, ndërkohë që ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, theksoi se nuk kishte asnjë alternativë tjetër për reformat e ndërmarra në Greqi.

Spektri i daljes së Greqisë nga zona euro është përsëritur herë pas here nga kreditorët dhe nga vet Kryeministri Samaras, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të fundit legjislative në qershor të vitit 2012, kur vendi ndodhej në mes të krizës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme