Kosovë – Mustafa paralajmëron vizita në Shqipëri, Gjermani e SHBA

Shqipëria, Gjermania dhe SHBA-të janë shtetet, që ka përmendur Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i pyetur për vizitat e tij të para jashtë shtetit, ndërsa ka theksuar disa ftesa.

Kosovë – Mustafa paralajmëron vizita në Shqipëri, Gjermani e SHBA

"Unë i kam disa ftesa, të cilat janë paralajmëruar. Kam një ftesë të hapur për Shqipëri. Është një vizitë, të cilën duhet ta bëj në Gjermani dhe presim që të dërgohet ftesa. Jam shumë i interesuar për një vizitë të tillë, sepse e shoh tepër të rëndësishme. Po ashtu, jam i interesuar për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të punojmë që të bëhet, sepse fjala është për një aleat tonin dhe për një vend, me të cilin ne kemi kultivuar miqësi të përhershme dhe marrëdhënie speciale dhe këto marrëdhënie dëshirojmë që t’i mbajmë", theksoi Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi kështu gjatë një interviste mbrëmë drejtpërdrejtë në emisionin Debat në RTK.

Në telegramin e urimit Kryeminsitrit të sapozgjedhur Mustafa, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mes të tjerash ka shkruar: "Ju e dini se për autoritetet kosovare dera e Kryeministrit të Shqipërisë mbetet gjithmonë e hapur. Në një kohë sa më të përshtatshme për ju, vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tiranë, do të ishte më se e mirëpritur."

Në telegramin e urimit të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, me rastin e zgjedhjes së Mustafës Kryeministër, me të tjerash theksohet: "Gjermania do të vazhdojë të jetë një partnere e besueshme e Kosovës. Do të gëzohesha t’ju përshëndes së shpejti në Berlin."

Kurse në deklaratën e sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, John Kerry, lidhur me formimin e qeverisë në Kosovë, mes të tjerash është theksuar: "Presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Kosovën lidhur me agjendën e përbashkët, që e çon përpara zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës dhe integrimet euroatlantike."


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme