Ahmetaj e Bushati në Beograd: Të ecim me projekte të përbashkëta

Ministrat shqiptarë Ahmetaj dhe Bushati nënvizuan në Beograd rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për avancimin e agjendës së Konferencës së Berlinit me projekte konkrete.

Ahmetaj e Bushati në Beograd: Të ecim me projekte të përbashkëta

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, morën pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme dhe ministrave të Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Zv/presidentin e Komisionit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Monetare, Jyrki Katainen dhe komisionerin për Zgjerimin Stefan Fule.

Takimi u mbajt në Beograd, në kuadër të nismës për “Bashkëpunim të përforcuar në kuadër të rocesit të Stabilizim – Asociimit” (Enhanced Cooperation within the Stabilization and Association Process) dhe pason takimin e mbajtur në New York më 24 shtator 2014. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësuesi i Presidencës italiane të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i RCC.

Fokusi i takimit ishte bashkëpunimi i vendeve të rajonit në fushën e mirëqeverisjes ekonomike dhe ndërlidhjes infrastrukturore, si dhe koordinimit mes tyre nëpërmjet përgatitjes së programeve kombëtare për reformën ekonomike.

Duke vënë në dukje se ky aktivitet vjen pas Konferencës së Berlinit, ministri Ahmetaj theksoi nevojën e asistencës financiare të BE-së për të mundësuar realizimin e projekteve infrastrukturore, të cilat janë të domosdoshme si për krijimin e vendeve të punës, ashtu edhe për rritjen ekonomike. Për sa i takon vendeve të rajonit, ministri Ahmetaj theksoi se bashkërendimi i reformave strukturore dhe koordinimi politikave fiskale do të rezultonte në rritje ekonomike të qëndrueshme dhe zbutje të disbalancave midis vendeve të rajonit.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e cilësoi këtë takim si historik, ku për here të parë një ministër i Jashtëm i Kosovës vizitonte Beogradin. Pasi shprehu rëndësinë e gjithëpërfshirës në këtë proces bashkëpunimi rajonal, ai kërkoi që takimi i radhës në kuadrin e nismës të zhvillohet në Prishtinë.

Gjatë takimit, ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për avancimin e agjendës së Konferencës së Berlinit me projekte konkrete. Ministri mirëpriti gjithashtu qasjen e re të Komisionit Evropian ndaj qeverisjes ekonomike në rajon, si dhe instrumentet financiare që do t’i vihen në dispozicion vendeve të rajonit në kuadër të fondeve IPA dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ministri Bushati shprehu angazhimin e Shqipërisë për përparim të mëtejshëm të reformave strukturore në kuadrin e ri të përpjekjeve rajonale dhe evropiane.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme