Kuvendi i Shqipërisë miraton ndarjen e re territoriale

Kuvendi shqiptar miratoi të enjten me 88 vota pro, 1 votë kundër dhe 1 abstenim ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë, që përfshin 61 njësi vendore.

Kuvendi i Shqipërisë miraton ndarjen e re territoriale

Deputeti i PBDNJ-së Vangjel Dule votoi kundër projektit ndërsa abstenoi deputeti i LSI-së Vangjel Tavo.
Para miratimit të ligjit, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta hodhi në votim disa amendamente të propozuara nga deputetët për draftin në fjalë. Maxhoranca rrëzoi një amendim të deputetit Dule, ndërsa miratoi një tjetër amendim të propozuar prej tij dhe një grup deputetësh të PS-së e LSI-së. Po ashtu u miratuan dhe amendamentet e propozuara nga grupi parlamentar i PDIU-së, si dhe një amendim i deputetit Andrea Marto.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu, në një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës plenare, theksoi se “zbatimi i reformës është parësore. E bëmë këtë sepse konsolidimi i njësive të qeverisjes vendore ekzistuese është shumë i mirë. Kjo sepse konsolidon shërbimin që këto njësi vendore u japin qytetarëve”.

“Gjatë gjithë këtij procesi ne kemi kërkuar që procesi i bisedimeve të jetë sa më gjithëpërfshirës në mënyrë që të ishte konsensusi kombëtar më i madh i mundshëm. Ashtu si me çdo reformë, më e rëndësishmja është zbatimi dhe implementi i reformës. Kjo do të thotë decentralizim. Ndërsa kjo reformë zbatohet ne mirëpresim politikën e hershme të Shqipërisë në zbatimin e minoriteteve dhe të drejtave të tyre”, tha Arvizu.

Ndërsa kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social Facebook menjëherë pas votimit të ndarjes së re administrative territoriale shkruan se “sapo është votuar me shumicë dërrmuese reforma historike e riorganizimit administrativ të Shqipërisë! Një hap i madh drejt një atdheu modern”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme