Qeveria e Kosovës lëshoi një komunikatë për ngjarjet në Maqedoni

Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë.

Qeveria e Kosovës lëshoi një komunikatë për ngjarjet në Maqedoni

Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë, si rrjedhojë e aktgjykimeve ndaj të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe protestave qytetare, që pasuan si reagim ndaj aktgjykimeve.

Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se dialogu politik ndërmjet komuniteteve dhe zbatimi në përpikëri i Marrëveshjes së Ohrit është rruga e vetme e zgjidhjes së çështjeve të hapura midis komuniteteve në Maqedoni.

“Respektimi i të drejtave fundamentale kushtetuese dhe institucionale është mënyra e vetme për të evituar përshkallëzimin e dhunës, që do të mund të përcillej me pasoja të rënda për tërë rajonin”, theksohet në komunikatën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të sapodërguar.

Më tej shtohet se, “Republika e Kosovës është e përkushtuar në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit rajonal dhe thërret të gjitha palët në Republikën e Maqedonisë që të përmbahen nga dhuna si mjet i zgjidhjes së çështjeve politike”.

“Populli shqiptar në Maqedoni ka përfaqësuesit e vet të zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët e kanë për obligim që t’i adresojnë në mënyrë institucionale problemet dhe shqetësimet e popullatës shqiptare”, vijon komunikata.

Qeveria e Republikës së Kosovës edhe një herë u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira për maturi dhe gjetje të zgjidhjes përmes dialogut të ndërsjellët.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme