Rama: Kemi ende detyra të vështira shtëpie për të realizuar

Dhënia e statusit të vendit kandiat për në BE ka qenë një proces i gjatë, tha Kryeministri Edi Rama sot në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, i cili është duke realizuar një vizitë zyrtare në Tir

Rama: Kemi ende detyra të vështira shtëpie për të realizuar

Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso se dhënia e statusit të vendit kandiat për në Bashkimin Europian ka qenë një proces i gjatë, jo i lehtë dhe që nuk do të ishte kurorëzuar me sukses pa punën e jashtëzakonshme dhe rezultatet e dukshme të qeverisë në këta 9 muaj.

Por nga ana tjetër, tha Rama, nuk është një proces që i takon vetëm këtyre 9 muajve, por është një proces ku kontributi, puna dhe rezultatet në vite kanë qënë të domosdoshme.

“Falenderoj Presidentin për ndihmën e pareshtur që Komisioni Europian na ka dhënë dhe jam i bindur që do të vazhdojë të na japë duke na kujtuar vazhdimisht për detyrat tona të shtëpisë, por edhe duke na asistuar që këto detyra t’i kryejmë sa më mirë”, theksoi Kryeministri në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso në Tiranë.
Fatkeqësisht vizita e parashikuar tre vite më parë e Presidentit të Komisionit, vijoi Kryeministri Rama, nuk u realizuar, por fatmirësisht doli më mirë, sepse u krijuar mundësia që Presidenti ta vizitojë Shqipërinë tanimë si një vend që ka një status të veçantë, statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.

Duke e konsideruar si një mik i mirë i të gjithë shqiptarëve, Rama i drejtoi një falënderim edhe Komisionerit për Zgjerimin Evropian Stefan Fule, i cili tha ai me vendosmëri dhe vullnet të mirë mbështeti klasën tonë politike në sfidat dhe rrugën e kurorëzimit që u bë e mundur me statusin e vendit kandidat.

Rama siguroi Presidentin Barroso se “qeveria nuk e merr statusin e vendit kandidat si një trofe, as nuk e konsiderojmë një arritje të njëanshme apo aq më pak, një arsye për të pasur një pozicion që ndan, por e marrim statusin si një vlerësim për ç’ka kemi bërë dhe si një shkallë të re përgjegjësie për ç’ka na mbetet të bëjmë dhe pa dyshim është pjesa më e vështirë ajo që mbetet, sepse kemi ende detyra të vështira shpie për të realizuar për t’u bërë anëtar i BE-së”.

Rama informoi se e ka nohur Presidentin Barroso edhe me zhvillimet ekonomike në vend. “Pata kënaqësinë ta informoj për kthimin e ekonomisë në shinat e një progresi të qëndrueshëm”, deklaori Rama duke shtuar se qeveria mbetet e angazhuar për të vijuar me të gjitha reformat.

“E sigurova Presidentin Barroso për vendosmërinë tonë që të kryejmë të gjitha ato reforma të shtyra e të zvarritura vit pas viti, ashtu sikundër e informova për vendosmërinë tonë që të kryejmë një orë e më parë reformën administrativo-territoriale, si një bazë solide për të shkuar më tutje me integrimin”, deklaroi Kryeministri Rama.

Rama foli edhe për vizitën e tij të planifikuar në Beograd, Serbi. “Presidenti është entuziast për një hap të ri të zhvillimit të marrëdhënieve rajonale, për vizitën që unë do kryej në Beograd, për të marrë një rol të ri, të bashkëpunoj me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, që të bëhemi të vetëdijshëm për rrugën tonë të përbashkët drejt BE, që Ballkani ka nevojë për BE aq, sa BE ka nevojë për Ballkanin dhe se Ballkani nuk mund të kuptohet pa BE, ashtu si BE nuk ka kuptim pa përfshirjen e Ballkanit”, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit.

Rama iu përgjigj edhe interesit të medias për bashkëpunimin me opozitën për çështje të rëndësishme si reformat territoriale apo ajo në drejtësi.

Kryeminsitri Rama tha se opozita nuk do të vuajë atë që vuajtëm ne kur ishim në opozitë dhe se kjo maxhorancë nuk do të bëjë gabimet që bëri opozita dje, por do të nxjerrë mësime nga ato gabime.

“Ne kemi qenë dhe do të jemi gjithëpërfshirës në njohjen e meritave të gjithkujt. Ne do të ecim bashkarisht edhe me reformat siç është ajo në drejtësi. Për reformën territoriale kemi qenë të hapur e jemi të hapur deri në sekondën e fundit, nëse opozita ka një opsion. Por në fund të ditës ne kemi zgjedhur për të udhëhequr, jo për ta bërë opozitën të na dojë patjetër”, tha Rama.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme