Kosova sot voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

87178
Kosova sot voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Qytetarët e Kosovës në 38 komuna të vendit sot votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Kosovës. Në Listën Përfundimtare të Votuesve janë mbi 1 milion e 782 mijë emra të personave që kanë të drejtën e votës. Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka, ka hapur qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë, duke votuar që në orën 7:00 që paraqet edhe një simbolikë të fillimit të procesit të votimit. Daka shpreson që gjithçka do të shkoj në rregull dhe pret që të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Unë e shfrytëzova të drejtën time kushtetuese dhe obligimin tim qytetarë. Shpresoj që të gjithë qytetarët me të drejtë vote do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe do të dalin të votojnë ashtu siç edhe presim. Çdo gjë është gati, vendet e vendvotimit të gjitha janë hapur me siguri dhe unë shpresoj që çdo gjë do të shkoj në rregull”, ka thënë Daka.
Procesi zgjedhor është duke u zhvilluar pa ndonjë problem të madh. Në konferencën e parë për media, Prokurorja e shtetit, Laura Pula ka konfirmuar se në një vendvotim në Prizren është shënuar një incident ku zyrtari zgjedhor ka penguar qytetaren gjatë procesit të votimit.

“Gjer më tani nuk kemi evidentu ndonjë parregullsi të vecantë, përpos në Prizren e cila është përjashtuar nga vendvotimi dhe ajo është zëvendësuar me një tjetër për shkak se e ka penguar një votues gjatë procesit të votimit.”

Por, në përgjithësi sipas Pulës, procesi në pjesët tjera të Kosovës ka shkuar me rregull.
Prokurorja e shtetit dhe sistemi prokurorial në këtë ditë të zgjedhjeve janë mëse të mobilizuara së bashku me Policinë e Kosovës dhe në terren i ka 100 prokuror dhe 300 staf mbështetës.

Kurse, Baki Kelani nga Policia e Kosovës, ka thënë se Policia i ka përgatitë të gjitha planet për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve dhe se mbi 5 mijë pjesëtarë të policisë tashmë janë në terren.

“Mund të them numri i përgjithshëm mbi 5000 zyrtarë që janë të caktuar në këtë proces zgjedhor kanë dalë me kohë në detyrë dhe janë duke ofruar sigurinë në perimetrin e caktuar ashtu siç ligji e parasheh. Po ashtu të gjitha njësitet policore që kanë qenë në përcjellje të materialit sensitiv për dërgimin me kohë në qendrat e votimit e kanë kryer punën ashtu siç është paraparë”, ka thënë ai.

Në konferencën e parë të përbashkët për këtë proces zgjedhor, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë bërë thirrje që secili qytetar që e vëren ndonjë parregullsi gjatë ditës së votimit, të njëjtën mund ta paraqes në numrin 192 apo edhe të shkojnë tek zyrat e prokurorisë në mënyrë që problemi të zbardhet sa më shpejt.

Ndërkohë, Komisioni Qendrorë Zgjedhorë, ka bërë të ditur rezultatet e daljes së votuesve deri në orën 11. Sipas KQZ-së është Komuna e Mamushës e cila prinë me dalje të një numri më të madh të votuesve me 17 përqind, ndërsa komunat në veriun e Mitrovicës janë me numër më të vogël të daljes së votuesve deri në orën 11.

Për sa I përket qyetetëve më të mëdhaa, në Prishtinë kanë dalë mbi 12% të votuesve, kurse në Prizren e Pejë rreth 9%.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës, sot nga ora 7:00 në mëngjes e deri në orën 19:00, kanë mundësinë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme