Azerbajxhani shtrin më tej kontrollin mbi territoret e çliruara nga pushtimi armen

Forcat e Armatosura të Azerbajxhanit vazhdojnë operacionet që kanë filluar për çlirimin e territoreve azerbajxhanase të pushtuara nga Armenia.

1515460
Azerbajxhani shtrin më tej kontrollin mbi territoret e çliruara nga pushtimi armen
Azerbaijão.jpg
Azerbaycan.png

Siç bën të ditur Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit përmes një komunikate të shkruar, operacionet me intensitet të ndryshëm kanë vazhduar përgjatë natës në drejtim të rajoneve Aghdara, Khojavend, Fuzuli, Hadrut, Gubadli dhe Lachin.

Komunikata thekson se forcat pushtuese armene kanë hapur zjarr me tanke, artileri dhe mortaja, ndërsa ushtria azerbajxhanase po vazhdon aktivitetet e saj në drejtimet kryesore, sipas planit operativ, duke shtrirë edhe më tej kontrollin në territoret e çliruara nga pushtimi.

“Ushtria e Azerbajxhanit ka bërë përparime të reja në drejtime të ndryshme dhe ka dobësuar rezistencën e forcave armene në rajonet Khojavend, Gubadli dhe Lachin. Forcave armene, të cilat kanë pësuar humbje të mëdha në Aghdara dhe Khojavend, u kanë mbaruar municionet dhe u janë neutralizuar bateritë e artilerisë së rëndë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Më tej nënvizohet se Batalioni 1. i Regjimentit 543. të ushtrisë armene, i cili qe dërguar në Gubadli, është tërhequr me humbje të fuqisë njerëzore dhe pajisjeve ushtarake. Gjithashtu njoftohet se është neutralizuar një pjesë e madhe e ushtarëve që Armenia ka dërguar në Karabakun Malor nga qyteti Tsaghkadzor i rajonit Kotayk.

Ushtria e Azerbajxhanit ka shkatërruar në drejtime të ndryshme 2 tanke, 2 autoblinda, 4 obusë “D-30”, 1 top “2A36 Giasint-B” dhe 7 automjete të forcave armene.

Në fund të komunikatës së Ministrisë sqarohet se luftimet vazhdojnë përgjatë gjithë vijës së frontit dhe se situata është nën kontrollin e ushtrisë azerbajxhanase.



Lajme të ngjashme