OBSH: Obeziteti ka marrë përmasa epidemike në Evropë

Shkalla e obezitetit ka marrë përmasa epidemike në Evropë, sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Bëhet e ditur se 60% e evropianëve dhe ⅓ e fëmijëve vuajnë ose nga mbipesha ose nga obeziteti.

“Ne shohim që njerëzit janë më pak aktivë, aktiviteti fizik po pakësohet, zakonet e të ngrënit po përkeqësohen. Kjo na bën të shqetësohemi dyfish”, deklaroi Julianne Williams, zyrtare teknike e OBSH-së për Evropën

Bazuar në raportin e ri të publikuar nga OBSH-ja, kjo epidemi shkakton çdo vit 200.000 raste kanceri dhe mbi 1 milion vdekje në rajonin evropian.

OBSH-ja u ka bërë thirrje shteteve evropiane që të ndjekin politika të tilla si rritja e tatimit për pijet me sheqer dhe kufizimi i marketingut të ushqimeve jo të shëndetshme, por edhe që të bëjnë përpjekje për të rritur aktivitetin fizik.