Mesdheu Lindor, skenë tensionesh për burimet energjetike

I pasur me rezerva nafte dhe gazi natyror, Mesdheu Lindor po bëhet skenë e ditëve të tensionuara.

Pas dyerve të mbyllura, po bëhen pazarllëqe të pista me vende të ndryshme.

Janë duke u themeluar aleanca pa Turqinë dhe Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV).

Ndërsa aktori protagonist i këtij procesi problematik është Administrata Grekoqipriote dhe hapat e njëanshme të saj.

"Ne s'do të pranojmë kurrsesi nismat për uzurpim të burimeve natyrore të Mesdheut Lindor duke përjashtuar vendin tonë dhe Republikën Turke të Qipros së Veriut", ka theksuar Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Turqia mbron fuqishëm idenë që të dyja komunitetet e Ishullit duhet të kenë të drejta të barabarta mbi burimet natyrore.

"Këtu ka të drejta edhe komuniteti turk i Qipros. Përgjegjësia jonë si Turqi, një vend garantues, është të mbrojmë të drejtat e Republikës Turke të Qipros së Veriut dhe komunitetit turk të Qipros", ka sqaruar ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu.

Kurse Administrata Grekoqipriote po e ngre tensionin në rajon me marrëveshje të njëanshme.

Shembulli i fundit në këtë drejtim është marrëveshja me kompaninë energjetike amerikane "Noble".

Hapat e mëparshme të këtij lloji s'kanë prodhuar rezultat falë nismave të Turqisë.

Në dy vitet e fundit janë parandaluar aktivitetet e 4 anijeve të sondimit.

"Le ta dinë të gjithë që çdo projekt, i cili përjashton RTQV-në dhe Turqinë, s'ka shans të mbijetojë në Egje dhe Mesdhe; të gjithë duhet t'u shmangen provokimeve që do të vinin rajonin në rrezik", ka potencuar ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar.

Paralelisht me këtë qëndrim të vendosur, Turqia ka intensifikuar edhe aktivitetet e saj energjetike në rajon.

Anija e sondimit "Fatih" filloi kërkimet. Ajo po realizon sondime afër brigjeve të Antalies, në platformën kontinentale të Turqisë.

Ndërsa anija e sondimit "Yavuz" do të niset së shpejti.

"Edhe ‘Yavuz’, edhe ‘Fatih’ do të kryejnë të paktën nga dy sondazhe secila në vit. Slogani ynë është ky: Nëse ka, do ta gjejmë!", ka bërë me dije ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez.

Zgjidhja për uljen e tensionit në rajon kalon nga përfshirja në bisedime gjithashtu e Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros së Veriut.