Kriza e zinxhirit të furnizimit në SHBA

Nuk shkojnë askund. Kjo është skena në brigjet e Los Anxhelosit prej disa javësh. Anijet e tejmbushura me kontejnerë e kanë të pamundur të ankorohen dhe të shkarkojnë ngarkesat e tyre në port.

Gene Seroka
Drejtor Ekzekutiv, Porti i Los Anxhelosit

“Rruga më e shpejtë nga Azia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në portet e brendshme kalon përmes Los Anxhelosit. Dhe kjo është ajo që të gjithë po përpiqen të shfrytëzojnë në maksimum tani. Por situata është si të marrësh trafikun e një autostrade me 10 korsi dhe ta ngjeshësh atë në 5 korsi.”

Për më tepër, magazinat tashmë janë mbushur plot. Dhe ka një mungesë të dëshpëruar të shoferëve të kamionëve për të transportuar mallrat në të gjithë vendin. Rezultati është më pak produkte në rafte dhe, rrjedhimisht, çmime më të larta. Inflacioni tani është një shqetësim real.

Tre muaj më parë, kostoja e transportit të një kontejneri me madhësi standarde nga Kina në brigjet lindore të SHBA-së ishte 11 mijë dollarë. Ndërsa tani kushton gati 21 mijë dollarë. Kjo do të thotë një rritje prej 89%.

Konsumatorët kanë filluar ta ndiejnë shqetësimin që tani.

Qytetare: “Në fakt unë thjesht do të blej disa sende ushqimore dhe, po, çmimet po shkojnë lart.”

Qytetar: “Në përgjithësi, produktet janë pak më të shtrenjta. Vura re gjithashtu se kjo rritje nuk është një rritje graduale, por një rritje e menjëhershme.”

John Brain, Uashington

“Pra, si erdhi deri në këtë pikë? Epo, seksione të mëdha biznesi u mbyllën gjatë pandemisë. Qeveria e mbajti ekonominë në këmbë me pagesa stimuluese duke u dhënë njerëzve para për të mos bërë asgjë. Tani që ekonomia u rihap, njerëzit duan t'i shpenzojnë këto para.”

Joel Griffith
Hulumtues i Fondacionit të Trashëgimisë

“Kërkesa u rrit në mënyrë eksponenciale. Në SHBA u thye rekordi historik i shitjeve me pakicë. Kjo është një kërkesë artificiale nga paratë e shtypura dhe të huazuara. E gjithë kjo rezultoi në krizën më të madhe të zinxhirit të furnizimit që kemi parë ndonjëherë në jetën tonë.”

Bëhet fjalë për një problem që po prek pjesën më të madhe të globit, por vendet e tjera po kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara - si ekonomia më e madhe në botë - që të udhëheqin rrugën drejt zgjidhjes së tij.

Administrata Biden i bindi portet amerikane që të operojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Por parashikohet se do të kalojnë ende muaj para se të përfundojë puna e prapambetur.

John Brain, “TRT World”