Fokus – Lavrioni, një kamp terrorist në mes të Greqisë

Kjo është qyteza Lavrion, rreth 1 orë larg Athinës; një vendpushim i këndshëm me një port të vogël dhe kafene përgjatë bregut të detit.

Megjithatë ato që e ngrenë Lavrionin në rend të ditës s'janë bukuritë natyrore, por kampi terrorist që ndodhet aty.

Ekipi i “TRT Haber” filmoi Kampin e Lavrionit, ku janë mbledhur militantët e shumë organizatave terroriste në Turqi dhe sidomos anëtarët e PKK-së.

"Lavrioni, mu në qendër të Evropës, është një kamp terrorist që ndodhet në Greqi. Distanca e kampit nga Athina është rreth 65 km. Në kamp strehohen militantët e shumë grupeve terroriste. Dhe pavarësisht të gjitha paralajmërimeve të Turqisë, kampi nuk është mbyllur ende", thotë korrespondenti ynë.

Ato çfarë spikasin menjëherë përreth kampit janë shkrimet murale dhe shtyllat ku valëviten paçavuret e organizatës.

Policia greke ua ka dorëzuar terroristëve pothuajse tërë kontrollin përreth kampit.

"Tani jemi saktësisht përpara kampit. Natyrisht që s'mund të qëndrojmë, pasi në çast do të ndërhynin simpatizantët e këtushëm të organizatës terroriste. Jemi përqark kampit dhe këtu nuk ka policë grekë", sqaron gazetari.

"Ky është kamp i përdorur nga grupet terroriste PKK dhe DHKP-C. Tani edhe ne po i biem përqark kampit. As këtu nuk do të ndalemi dot, sepse ndërhyjnë menjëherë. Megjithatë po përpiqemi të filmojmë duke rrezikuar shumë", thekson ai.

Inteligjenca greke nuk lejon që të bëhen filmime në këtë zonë. Përreth kampit mbizotëron një heshtje e madhe.

Ndërsa fotografi të shkrepura brenda dhe të publikuara nga uebfaqet propaganduese të organizatës, demonstrojnë qartë se Lavrioni është një kamp terroristësh dhe jo refugjatësh.

Në këto fotografi është e mundshme të shihet se si grupet terroriste bashkëpunojnë jashtë shtetit kundër Turqisë.

Kampi varet zyrtarisht nga Ministria greke e Emigracionit. Punët administrative të tilla si kushtet e akomodimit, drejtohen nga një komitet me shtatë anëtarë. Kurse nevojat plotësohen kryesisht nga Kryqi i Kuq i Greqisë. Sa u përket hyrje-daljeve, ato kontrollohen tërësisht nga terroristët në kamp.

Militantët në kamp presin herë pas here edhe gazetarë perëndimorë. Mashtrimet që dalin nga goja e terroristëve, në opinionin publik perëndimor shfrytëzohen si mjet për propagandë të zezë kundër Turqisë.

Mirëpo cili është vendi i kampit në strukturën evropiane të organizatës terroriste?

Sipas një libri të përgatitur nga Fondacioni për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Kampi i Lavrionit është një shtab, ku jepen trajnime ideologjike për anëtarët e organizatës terroriste. Në kampin me kapacitet 400 veta, tani strehohen 350 terroristë.

Ky shtab me pamjen e kampit të refugjatëve është me rëndësi edhe në aspektin e kamuflimit të aktiviteteve të organizatës terroriste përmes justifikimeve humanitare.

Realisht, e kaluara e kampit shkon deri në vitet e Luftës së Ftohtë. Në kampin e hapur 60 vite më parë, gjatë asaj periudhe strehoheshin të arratisurit nga Bashkimi Sovjetik. Por duke nisur që nga viti 1984, kontrollin e kampit e mori organizata terroriste.

Kreu i organizatës terroriste, teksa merrej në pyetje pas kapjes së tij, pati pohuar se militantët e organizatës merrnin trajnime armësh në Kampin e Lavrionit dhe ekzistenca e kampit pati shkaktuar krizë ndërmjet dy vendeve.

Athina zyrtare nuk u ka dhënë deri më sot përgjigje pozitive nismave të Turqisë për mbylljen e kampit në fjalë. Pas një bastisjeje të kampit në vitin 2013, policia greke pati deklaruar se nuk kishte asgjë "të dyshimtë".

Mirëpo pohimet e terroristëve autorë të sulmeve gjakatare më herët në Turqi, hedhin poshtë të gjitha tezat e autoriteteve greke. Terroristët e PKK-së, sikurse edhe Dilek Oz, e cila më 1994-n plagosi dy turistë me një bombë në kopshtin e Shën-Sofisë, patën pohuar të ishin trajnuar në Kampin e Lavrionit.

Sipas lajmeve të publikuara nga shtypi grek, krahas Lavrionit, organizata terroriste është aktive edhe në kampe të tjera refugjatësh. Organizata përpiqet të rekrutojë militantë sidomos nga refugjatët me origjinë kurde, të cilët mbërrijnë në Greqi nga zonat veriore të Sirisë.