Çfarë po ndodh në Tunizi?

Presidenti i Tunizisë shkarkoi të dielën qeverinë e Kryeministrit Hichem Mechichi dhe ngriu kompetencat e Parlamentit pas dhunës në demonstratat kundër partisë në pushtet.

Disa tunizianë e mbështetën lëvizjen në fjalë, të cilën shumë e cilësuan si një grusht shteti, ndërsa të tjerët e dënuan atë.

Presidenti Kais Saied njoftoi se ai do të marrë pushtetin ekzekutiv me ndihmën e një kryeministri të ri për të sjellë qetësi në vend, i cili po lufton me krizën ekonomike dhe rritjen e rasteve të COVID-19.

Kais Saied – President i Tunizisë
“Ne i morëm këto vendime; dhe derisa paqja shoqërore të rivendoset në Tunizi dhe ne të shpëtojmë shtetin, vendimet e tjera do të lëshohen në formë dekreti, siç përcaktohet nga Kushtetuta.”

Saied pezulloi gjithashtu imunitetin e të gjithë deputetëve.

Ai shtoi se vendimet e tij ishin në përputhje me Nenin 80 të Kushtetutës.

Mirëpo, sipas Kushtetutës tuniziane, kur u implementua Neni 80, Parlamenti po zhvillonte seanca pa ndërprerje dhe në këtë rast ai s'mund të shpërndahet.

Saied sqaroi më pas se do të duheshin 30 ditë për të pezulluar Parlamentin.

Vendimi i parë është ai për të ngrirë të gjitha funksionet e Parlamentit.

Kushtetuta nuk e lejon shpërndarjen e Parlamentit, por lejon pezullimin e funksioneve të tij.

Vetëm 30 ditë pas implementimit të Nenit 80 dhe brenda 15 ditëve nga kjo datë, Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse Parlamenti do të rikthehet në funksionet e tij.

Por në prill 2021, Saied pengoi përpjekjet e Parlamentit për të themeluar Gjykatën Kushtetuese të Tunizisë.

Shumë e panë këtë si një përpjekje për të parandaluar që Parlamenti të fitojë më shumë pushtet.

Dhjetë vjet pas revolucionit, Tunizia mbetet e ekspozuar ndaj trazirave politike që pengojnë madje edhe përpjekjet për të rigjallëruar shërbimet publike në kolaps.