A do ta sulmojë Trumpi Iranin?

Trumpi mund të ndërmarrë një veprim ushtarak "të pamatur" kundër Iranit, sipas ekspertëve.

Raportohet se Izraeli dhe Arabia Saudite po bëjnë presion ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të "marrë masa" kundër impianteve bërthamore të Iranit përpara se të marrë detyrën Presidenti i zgjedhur, Joe Biden.

Danny Postel, ekspert i Universitetit "Northwestern" për Iranin dhe Politikën e Jashtme të SHBA-së: "Trumpi është si një bishë shumë e plagosur dhe e futur në darë në skenarin e një loje finale. Atij i kanë mbetur vetëm disa javë dhe ne e dimë që ai është i aftë për sjellje jashtëzakonisht të çrregullta."

Bombarduesit amerikanë "B-52" fluturuan mbi hapësirën e Gjirit (Persik) tri herë gjatë muajit të kaluar.

Administrata Trump e quajti atë një masë parandaluese për të shkëshilluar Iranin që të hakmerret më 3 janar, me rastin e përvjetorit të vrasjes së gjeneralit Soleimani.

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, e paralajmëroi Trumpin që "të jetë i kujdesshëm ndaj një kurthi".

Javad Zarif: "Inteligjenca e re nga Iraku tregon se agjentë provokatorë izraelitë po komplotojnë sulme kundër amerikanëve për të vënë në vështirësi një Trump në largim me një «shkak lufte» të rremë. Kini kujdes nga një kurth, @realDonaldTrump. Çdo fishekzjarr do të dështojë, sidomos kundër miqve tuaj më të mirë përgjithmonë."

Zyrtarët iranianë kanë premtuar "hakmarrje të ashpër" për vrasjen e Soleimanit në Bagdad.

Por ekspertët thonë se nuk ka gjasa që Teherani t'i japë SHBA-së një pretekst për të filluar veprime ushtarake, pasi Bideni synon të rifillojë angazhimin diplomatik me Iranin.