ShBA dhuron 37 mjete të blinduara për Forcat e Armatosura të Shqipërisë

Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të jenë më të afta për të kryer detyrat e tyre falë ndihmës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat dhuruan 37 mjete të mbrojtura dhe rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara.Mjetet e blinduara të markës International MaxxPro MRAP (Mine Resistant Ambush Protected), do të përdoren nga strukturat e Forcave Armatosura, të cilat janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO. Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre mjeteve, mori pjesë ministrja e Mbrojtjes. Olta Xhaçka, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Leyla Moses-Ones dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralbrigade Bardhyl Kollçaku. Ministrja Xhaçka falënderoi qeverinë e ShBA-së për ndihmën e vazhdueshme që jep për shtetin shqiptar dhe vlerësoi si të rëndësishëm dhurimin e 37 mjeteve të blinduara, të cilat do të rrisin kapacitetet dhe performancën e Forcave të Armatosura Shqiptare.