Hov i ri bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Kroacisë

Shqipëria dhe Kroacia do të rrisin ndjeshëm bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë pas nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet ministrit kroat të Mbrojtjes Damir Krstičević dhe ministres Olta Xhaçka, gjatë vizitës së saj zyrtare në Zagreb, që përkon me 10-vjetorin e Anëtarësimit të të dy vendeve në NATO.

Në takimin mes zëvendëskryeministrit dhe njëherësh ministrit të Mbrojtjes kroat Krstičević me ministren Xhaçka, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe në vite, si dhe u diskutua për sfidat aktuale të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Dy ministrat ndanë të njëjtin mendim se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ka kontribuar më tej në qëndrueshmërinë e rajonit.

Ministri Krstičević u shpreh i lumtur për nënshkrimin memorandumit dhe shprehu mirënjohje për vendin tonë që, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kroacisë për një stërvitje të përbashkët në kuadër të 10-vjetorit të Anëtarësimit në NATO.