Turqia konfirmon mbështetjen e plotë ndaj Republikës Turke të Qipros së Veriut

Turqia ka deklaruar se mbështet plotësisht deklaratën e Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV/TRNC) lidhur me vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të zgjatur edhe me 6 muaj mandatin e Forcës Paqeruajtëse në Ishullin e Qipros.

1769608
Turqia konfirmon mbështetjen e plotë ndaj Republikës Turke të Qipros së Veriut

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zgjati mandatin e Forcës Paqeruajtëse të OKB-së në Ishullin e Qipros (UNFICYP) për një periudhë prej gjashtë muajsh me rezolutën 2618 (2022) të miratuar më 27 janar 2022.

Ne mbështesim plotësisht deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Turke të Qipros së Veriut (TRNC/RTQV) në lidhje me rezolutën,- thuhet në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Me gjithë thirrjet dhe paralajmërimet, gjatë marrjes së vendimit në fjalë nuk është kërkuar sërish pëlqimi i autoriteteve të RTQV-së, duke vepruar në kundërshtim me rregullat dhe parimet e OKB-së. Ndërsa një marrëveshje ligjore është shmangur me këmbëngulje deri më sot, Forca Paqeruajtëse e OKB-së (UNFICYP) i ka vazhduar aktivitetet e saj në ishull brenda kornizës së qasjes me mirëbesim të autoriteteve të RTQV-së. Hapat e RTQV-së që do të ndërmerren në këtë drejtim kanë mbështetjen tonë të plotë, vijon komunikata.

Është i shkëputur nga realiteti dhe gjithashtu kontradiktor qëndrimi i mbajtur nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili nga njëra anë u bën thirrje palëve në ishull të arrijnë një zgjidhje dhe nga ana tjetër përpiqet të imponojnë një model zgjidhjeje që është provuar dhe ezauruar për më shumë se 50 vjet; një model që është dëshmuar joefektiv dhe nuk pasqyron pëlqimin e njërës palë.

Nga ana tjetër, kritikat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj hapave të ndërmarra nga autoritetet e RTQV-së në Marash [Varosia] në përputhje me të drejtën ndërkombëtare janë shkelje e të drejtave pronësore. Për më tepër, shpërfillja e Këshillit ndaj hapave të njëanshme të ndërmarra nga administrata grekoqipriote në Mesdheun Lindor, të cilat po rrisin tensionin dhe po injorojnë të drejtat e turqve qipriotë, është përsëri një shembull i standardit të dyfishtë,- thuhet në vijim të deklaratës së shkruar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Me synimin për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të përvetësojnë një qëndrim të sinqertë dhe konstruktiv të bazuar në realitetet e ishullit dhe, për këtë qëllim, të riafirmojnë barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar, që janë të drejta ligjore të popullit turkoqipriot, përfundon deklarata.

 


Lajme të ngjashme