Turqia e gatshme të ndihmojë Afganistanin pas tërmetit në provincën Badghis

Ankaraja zyrtare shprehu ngushëllimet e saj për njerëzit që humbën jetën në tërmetin me epiqendër provincën Badghis të Afganistanit.

1764378
Turqia e gatshme të ndihmojë Afganistanin pas tërmetit në provincën Badghis

Ministria e Punëve të Jashtme publikoi të martën herët një deklaratë me shkrim për tërmetin në një prej provincave perëndimore të Afganistanit.

“Thellësisht të pikëlluar mësuam se një tërmet me epiqendër provincën Badghis, në perëndim të Afganistanit, mori jetë njerëzish, la shumë të plagosur dhe shkaktoi dëme materiale.

Ne shprehim ngushëllimet tona për familjet e atyre që humbën jetën, si dhe për popullin mik e vëlla të Afganistanit; u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve dhe ritheksojmë se Turqia, si përherë, është e gatshme për të ofruar çdolloj ndihme humanitare”, thuhet në deklaratën për shtyp të MPJ turke.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USGS) njoftoi se epiqendra e tërmetit me magnitudë 5,3 ballë ishte 41 kilometra në lindje të qytetit Qala-e-Naw, qendër e provincës perëndimore Badghis të Afganistanit.

Tërmeti u ka marrë jetën 22 personave deri më tani, ndërkohë që skuadrat e menaxhimit të situatave emergjente vijojnë aktivitetet e kërkim-shpëtimit në zonën e prekur nga fatkeqësia.



Lajme të ngjashme