Turqia i dërgon letër SHBA-së për mekanizmin e përbashkët

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin, njoftoi se Turqia i ka dërguar letër Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krijimin e një mekanizmi të përbashkët mbi çështjet për të cilat presidentët Recep Tayyip Erdogan dhe Joe Biden kanë rënë dakord më parë.

1754892
Turqia i dërgon letër SHBA-së për mekanizmin e përbashkët

Në SHBA për të marrë pjesë në Konventën 20. Vjetore të MAS-ICNA, organizuar në Çikago nga organizatat ombrellë të myslimanëve amerikanë, Ibrahim Kalin tha për Agjencinë Anadolli (AA) se Ministria e Punëve të Jashtme e ka dërguar letrën në lidhje me mekanizmin, cilat çështje do të trajtohen dhe si do të zhvillohet procesi.

“Ne duam marrëdhënie të barabarta, të drejta dhe transparente të bazuara në interesin dhe respektin e ndërsjellë në një mënyrë gjithëpërfshirëse”, deklaroi Kalin duke shtuar se ndërsa bën këtë, Turqia do t'i japë përparësi interesave dhe prioriteteve të saj kombëtare.

Zyrtari i lartë turk rikujtoi se Presidenti Erdogan dhe homologu i tij amerikan, Biden, u takuan në tetor në kuadër të Samitit të G20-s në Romë dhe patën një takim produktiv.

Ai vazhdoi duke thënë se Ankaraja dhe Uashingtoni vazhdojnë të mbajnë kontakte për të zgjidhur problemet, të cilat përfshijnë mbështetjen e SHBA-së për terroristët e PYD/YPG-së, degë siriane e PKK-së; sanksionet në kuadër të CAATSA-s (Akti i Luftës me Sanksione ndaj Kundërshtarëve të Amerikës) kundër Turqisë për blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore “S-400” nga Rusia (mes tyre edhe përjashtimi i Turqisë nga programi “F-35”), si dhe dështimin e Uashingtonit për të ndërmarrë hapa konkrete kundër anëtarëve të organizatës terroriste gyleniste (FETO) në SHBA.

“Ne e kemi përsëritur vazhdimisht se kjo mbështetje (për terroristët e YPG-së) është një politikë e gabuar dhe duhet ndryshuar”, theksoi Kalin duke shtuar se parimisht gabim është edhe të asgjësosh një organizatë terroriste duke përdorur një tjetër.

Nën pretekstin e luftimit të DAESH-it, SHBA-ja ka ofruar trajnime ushtarake dhe qindra kamionë plot me armatime e municione për YPG-në terroriste pavarësisht shqetësimeve të Turqisë aleate të saj në NATO në lidhje me sigurinë.

Shtetet e Bashkuara kanë gjithsej 11 baza në provincat Al-Hasakah, Raqqa dhe Deir ez-Zor të Sirisë, të cilat janë aktualisht nën pushtimin e YPG-së. I ashtuquajturi komandant i përgjithshëm i Forcave Demokratike Siriane (SDF), Ferhad Abdi Sahin, kërkohet me Buletin të Kuq si nga Republika e Turqisë ashtu edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (Interpol) për rolin e tij vendimtar udhëheqës në YPG.

Ibrahim Kalin vuri në pah se është ende e mundur të hapet një faqe e re në marrëdhënie dhe që marrëdhëniet të vazhdojnë në një mënyrë shumë më produktive, nëse SHBA-ja ndërmerr hapa për të njohur interesat e sigurisë kombëtare të Turqisë.

“Megjithatë përparimi në këto çështje nuk do të jetë i mundur nëse nuk trajtohen çështjet themelore”, potencoi zëdhënësi presidencial turk mes të tjerash.



Lajme të ngjashme