Hulusi Akar: Përpjekjet e Greqisë për armatim janë të kota

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, deklaroi të premten se nisma e Greqisë për të siguruar epërsi ndaj Turqisë me përpjekjet e fundit për t'u armatosur, është një orvatje e kotë.

1752294
Hulusi Akar: Përpjekjet e Greqisë për armatim janë të kota

Ky vlerësim i ministrit Akar erdhi gjatë Ceremonisë së Ndarjes së Medaljeve dhe Shpërblimeve për Njësitë dhe Personelin e Suksesshëm të Ministrisë, ku ai mori pjesë bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralarmate Yasar Guler, komandantët e forcave dhe zëvendësministrat e Mbrojtjes Kombëtare.

Gjatë fjalës së rastit në ceremoni, Hulusi Akar uroi të gjithë stafin për arritjet e tij të rëndësishme.

Akar tha se Turqia, e cila është kthyer në një subjekt ndërkombëtar nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka marrë masa proaktive kundër zhvillimeve.

“Detyra jonë si Forca të Armatosura të Turqisë është të përmbushim me vendosmëri misionet tona në tokë, det e ajër për të garantuar jo vetëm sigurinë dhe mbrojtjen e vendit dhe kombit tonë, por edhe sovranitetin, pavarësinë e vazhdimësinë tonë”, tha ai.

Pasi vuri në pah se lufta kundër terrorizmit vazhdon me ritëm e intensitet në rritje, ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare theksoi se kjo luftë do të vazhdojë deri në neutralizimin e terroristit të fundit.

Akar përmendi gjithashtu aktivitetet e armatosjes në Greqi kohët e fundit.

“Me nxitjet dhe provokimet e vendeve të caktuara, ata po përpiqen të krijojnë epërsi ndaj Turqisë duke u armatosur. Kjo është një përpjekje e kotë. Nga ana tjetër, edhe pse janë aleatë brenda NATO-s, ata po orvaten të bëjnë diçka me aleanca të reja. Ne themi se të gjitha këto janë artificiale. Si përfundim, pavarësisht se çfarë bëjnë ata, Forcat e Armatosura të Turqisë janë të vendosura, këmbëngulëse dhe të afta për të mbrojtur e mbikëqyrur të drejtat, lidhjet dhe interesat e vendit dhe kombit tonë. Ne duam që të gjithë ta dinë këtë gjë”, përfundoi ministri.



Lajme të ngjashme