Çavusoglu: Suksesi i forcave paqeruajtëse kërkon pëlqimin e të gjitha palëve

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu theksoi se suksesi i Forcave Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (OKB) kërkon pëlqimin e përbashkët të të gjitha palëve, ndërsa shtoi se "Kjo vlen edhe për Qipron".

1744817
Çavusoglu: Suksesi i forcave paqeruajtëse kërkon pëlqimin e të gjitha palëve

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu theksoi se suksesi i Forcave Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (OKB) kërkon pëlqimin e përbashkët të të gjitha palëve, ndërsa shtoi se "Kjo vlen edhe për Qipron".

Çavusoglu foli në Takimin Ministror të OKB-së për Mbrojtjen e Paqes të mbajtur online, i cili u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut dhe Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare.

Ministri i Jashtëm vuri në dukje se zhvillimi i kapaciteteve paqeruajtëse duhet të kryhet së bashku dhe tha se performanca dhe llogaridhënia janë dy fusha kyçe mbi të cilat duhet të punohet për t'i bërë këto operacione më efektive.

Ai theksoi se përparimi në fushën e grave, paqes dhe sigurisë është gjithashtu i rëndësishëm për përgjegjshmërinë dhe performancën.

"Ne vlerësojmë gjithashtu Iniciativën e Seulit, e cila thekson rëndësinë e teknologjisë dhe kapacitetit mjekësor në ruajtjen e paqes. Ne duhet të promovojmë llogaridhënien me një qasje të përqendruar te viktima", tha ai.

Çavusoglu përkujtoi se Raporti i Panelit të Operacioneve Paqësore të OKB-së, i njohur në bashkësinë ndërkombëtare si “Raporti Brahimi”, ende nuk është zbatuar.

"Suksesi i Forcave Paqeruajtëse të OKB-së kërkon pëlqimin e të gjitha palëve. Kjo vlen edhe për Qipron. Më duhet të theksoj se forca paqeruajtëse e OKB-së në ishull duhet të marrë pëlqimin e autoriteteve turqve qipriotë. Më duhet gjithashtu të kujtoj se pushtimi i ishullit ndodhi në vitin 1963 dhe në fakt çoi në vendosjen e Forcave Paqeruajtëse të OKB-së në 1964”, theksoi ai.

Ministri Çavusoglu përmendi gjithashtu mbështetjen e Turqisë për përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së.

"Turqia ka dhënë një kontribut prej 2.9 milionë dollarë në Fondin e OKB-së për Ndërtimin e Paqes që nga fillimi i tij. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në fondin. Turqia gjithashtu do të vazhdojë të kontribuojë edhe në operacionet paqeruajtëse nga Afrika në Lindjen e Mesme e deri te Ballkani", bëri të ditur shefi i diplomacisë turke.

Çavusoglu tha gjithashtu se trupat turke janë të përfshira në operacionet paqeruajtëse në shumë vende dhe se Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e OKB-së në këtë drejtim.



Lajme të ngjashme