Zyrtare: Në produktet e eksportit do të përdoret marka “Made in Türkiye”

Është publikuar në Fletoren Zyrtare qarkorja presidenciale në lidhje me përdorimin e “Made in Türkiye” në vend të shprehjes “Made in Turkey” si markë tregtare në të gjitha llojet e aktiviteteve dhe korrespondencës në produktet e eksportit.

1742863
Zyrtare: Në produktet e eksportit do të përdoret marka “Made in Türkiye”

Në këtë shkresë zyrtare që mban firmën e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, thuhet se shteti i Republikës së Turqisë, nën dritën e traditës së tij shtetërore mijëravjeçare, e pranon si një nga detyrat e tij kryesore mbrojtjen dhe lavdërimin e kulturës dhe vlerave të kombit duke realizuar vepra cilësore e të vyera, të cilat i kanë hije kombit të lashtë turk.

Pasi vë në pah se një kujdes i madh u kushtohet vlerave që burojnë nga historia e rrënjosur thellë e kombit turk, qarkorja presidenciale thekson se marka “Türkiye” pranohet si marka ombrellë e vendit në mjediset kombëtare dhe ndërkombëtare të biznesit.

“Fjala «Türkiye» përfaqëson dhe shpreh në mënyrën më të mirë kulturën, qytetërimin dhe vlerat e kombit turk. Kështu, shprehja «Made in Türkiye» filloi të përdoret në vend të «Made in Turkey» në produktet tona të eksportit dhe prodhimet tona, të cilat janë krenaria e vendit tonë në tregtinë ndërkombëtare, janë promovuar e dërguar anembanë botës me markën «Türkiye». Që sot e tutje, akumulimi mijëravjeçar i shtetit dhe kombit tonë synohet të përfaqësohet në çdo fushë nën markën «Türkiye».

Në këtë kontekst, për të forcuar markën «Türkiye» në të gjitha llojet e aktiviteteve dhe korrespondencës, veçanërisht në marrëdhëniet zyrtare me shtete të tjera dhe institucione e organizata ndërkombëtare, do të tregohet ndjeshmëria e nevojshme në përdorimin e shprehjes «Türkiye» në vend të frazave «Turkey», «Turkei», «Turquie» etj.”, saktësohet në qarkore.



Lajme të ngjashme